Trençevska ndaj Mitreskës: Si nuk ju duk i dyshimtë rritja 13-fish e Alta Bankës?

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Nënkryetarja dhe deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, në seancën e sotme mbikëqyrëse për arsyet e vendosjes së administrimit në Alta Banka SHA Manastir, rolin dhe veprimin e Bankës Popullore si dhe përgjegjësinë institucionale, i drejtoi pyetje zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, Ana Mitreska, lidhur me dhënien e lejes për Alta Bankën, verifikimin e reputacionit të saj, strukturën pronësore dhe origjinën e kapitalit.

Trençevska theksoi se pasojat e zhvillimeve rreth bankës po i ndjejnë më së drejti qytetarët, veçanërisht pensionistët, përfituesit e ndihmës sociale dhe punëtorët, të cilët nuk mund të kenë qasje në mjetet e tyre financiare.

“Mitreska, si zëvendësguvernatore e Bankës Popullore, menjëherë pas guvernatorit Slaveski, shpresoj se jeni e vetëdijshme për përgjegjësinë që sjell ky funksion, veçanërisht përgjegjësinë tuaj ndaj të gjithë atyre pensionistëve, përfituesve të ndihmës sociale, qytetarëve dhe punëtorëve që po i shohim çdo ditë duke pritur me orë të tëra në radhë para bankave në mbarë vendin, madje pensionistët i dërgoni me autobus të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin.

A mendoni qoftë edhe për një moment se çfarë ndjejnë këta qytetarë që nuk mund t’i përdorin mjetet e tyre financiare në këtë varfëri?”, pyeti Trençevska.

Ajo rikujtoi biografinë profesionale të zëvendësguvernatores, veçanërisht angazhimin e saj në komunikimin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e vlerësimit kreditor, duke ngritur çështjen nëse ato janë konsultuar para se të jepej leja për hyrjen e Alta Bankës.

“Një gjë që më tërhoqi veçanërisht vëmendjen në biografinë tuaj të publikuar është se keni theksuar se në kuadër të angazhimit tuaj profesional merrni pjesë aktive në komunikimin me institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë për vlerësim kreditor. Gjëja e parë që më shkoi ndër mend kur e lexova këtë, pas një skandali si ai me Alta Bankën, të cilës ju i dhatë leje të hyjë në Maqedoni, siç e quajta unë, një bankë kriminale për pastrim parash e Vuçiqit, është se si është e mundur që para dhënies së lejes të mos konsultoheshin institucionet financiare, agjencitë e vlerësimit kreditor e të ngjashme”, theksoi Trençevska.

Më tej ajo përmendi një sërë ngjarjesh dhe procedurash rregullatore në shtete të tjera, të cilat sipas saj, duhej të kishin shërbyer si sinjal serioz për verifikimin e strukturës pronësore dhe funksionimit të Alta Bankës dhe kompanive të lidhura me të.

“Nga një pikë këmbimi në Zemun deri në bankë në Serbi, ndërsa në gusht të vitit 2024 Banka Qendrore Evropiane konstatoi veprim të përbashkët të paraparaqitur mes Alta Pay dhe Diplomat Pay gjatë marrjes së aksioneve në Adiko, me pezullim të të drejtave të votës.

Në shtator të po atij viti, FMA-ja austriake, organi rregullator, e gjobiti Alta Pay me rreth 155 mijë euro për mosraportim në kohë të pragjeve të pronësisë”, tha Trençevska.

Si pyetje shtesë për reputacionin dhe rreziqet, ajo përmendi edhe zhvillimet në Mal të Zi.

“Më pas erdhi refuzimi i marrjes së Adiko-s në Mal të Zi, ndalimi i hyrjes së Macurës për arsye të sigurisë kombëtare dhe heqja e licencës për shërbime pagesash të Alta Pay në atë shtet. Ndërsa ju, siç do të thotë guvernatori në një deklaratë, në konsultim me Mickoskin, i hapët dyert gjerësisht pa e verifikuar reputacionin, para së gjithash të pronarit dhe origjinën e kapitalit të Macurës, i cili tani ndodhet në paraburgim dhe ndaj të cilit po zhvillohet hetim për 300 milionë euro”, tha Trençevska.

Në fund, ajo ngriti një pyetje konkrete lidhur me rritjen e aktiveve të Alta Bankës, duke e krahasuar atë me rritjen e të gjithë sektorit bankar në Serbi dhe kërkoi shpjegim nëse ky tregues ishte marrë parasysh gjatë miratimit të lejes.

“Pyetja ime për ju, zëvendësguvernatore, është: a e patë se aktiveve të bankës gjatë pesë viteve të fundit i janë rritur 13 herë? Jo 13 për qind, por 13 herë, ndërsa i gjithë sektori bankar në Serbi është rritur vetëm për 2 për qind. A nuk ju duk i dyshimtë ky fakt kur po e jepnit dhe po e miratonit lejen për Alta Bankën?”, pyeti Jovana Trençevska.

artikuj të ndërlidhura