Moskë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Rusia mund të ketë arritur kufijtë e pranisë së saj detare në kohë paqeje në detin Baltik, ndërsa shtimi i patrullimeve të NATO-s duket se po pengon aktivitetet e mundshme armiqësore, deklaroi sot shefi i Marinës së Finlandës.
Admirali Tuomas Tiilikainen i tha televizionit ”Sky News” se situata e sigurisë detare mbetet e tensionuar, por e qëndrueshme duke theksuar nevojën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Marina ruse monitoron atë që bëjmë ne dhe atë që bën NATO-ja. Natyrisht, edhe ne duhet të monitorojmë dhe të mbajmë vigjilencë të vazhdueshme ndaj veprimeve dhe aktiviteteve të tyre”, tha ai.
Tiilikainen sugjeroi se Moska mund të mos shohë nevojë të menjëhershme për të zgjeruar praninë e saj detare, ose mund të ketë arritur kufijtë e kapaciteteve të saj operacionale në kohë paqeje në detin Baltik.
NATO-ja nisi misionin “Baltic Sentry” në janar të vitit 2025 për të forcuar mbikëqyrjen detare, pas një serie incidentesh të dyshuara sabotimi që përfshinë kabllot e telekomunikacionit dhe infrastrukturën energjetike nënujore.
Misioni përfshin dislokimin e anijeve ushtarake dhe avionëve për të monitoruar këtë korridor strategjik detar, si dhe për të zbuluar dhe parandaluar kërcënimet e mundshme ndaj infrastrukturës kritike.
Anijet që i përkasin të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë kanë qenë ndër të dyshuarat kryesore në incidentet që kanë përfshirë infrastrukturën nënujore.
Javën e kaluar, një gjykatë finlandeze dënoi kapitenin e një anijeje mallrash dhe një anëtar tjetër të ekuipazhit për sabotim lidhur me dëmtimin e dy kabllove të telekomunikacionit që lidhin Finlandën me Estoninë në dhjetor të vitit 2025.
Sipas raportimeve, kapiteni ishte shtetas rus.
