Fondet e BE, penalizohet Kosova/ Humbet 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 nëntor Zhurnal.mk – Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformuese brenda afatit të paracaktuar: qershor 2026.

Lajmi është konfirmuar nga Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj.

“Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milion euro, ose më saktë 43.8 milion euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha Jeton Zulfaj.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj tha se Kosova duhet të përmbush edhe 22 kushte të tjera deri në 31 dhjetor të këtij viti për të përfituar fondin prej 131.5 milionë euro.

Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e përgjithshme prej 882.6 milionë eurosh, prej të cilave dy të tretat janë kredi.

Shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, në periudhën kur ishte i shpërndarë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe krizës politike në vend.

Ndër reformat që nuk janë përmbushur brenda afatit, Zulfaj përmendi Ligjin për Energjinë, Ligjin për Falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe Strategjinë kundër Krimit të Organizuar.

Për shkak të afateve të shkurtra, Zulfaj kërkoi mobilizim institucional dhe procedura të përshpejtuara për miratimin e reformave.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria është përpara me fondet e thithura nga Brukseli pas Malit të Zi, për shkak të avancimit në reformat për klimën e biznesit dhe investimet duke përfituar financime për infrastrukturën, energjinë dhe zhvillimin digjital.

artikuj të ndërlidhura