Franca reagon ndaj videos së ministrit Ben-Gvir për palestinezët e Gazës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Paris, 22 tetor, Zhurnal.mk – Franca ka dënuar ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, lidhur me një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku banorët e Gazës transportohen në mënyrë magjike drejt Parisit.

“Imagjinoni të keni një llambë magjike dhe ta shpërdoroni dëshirën tuaj për Ben-Gvirin. As magjia nuk mund ta heq ndalimin e hyrjes së tij në Francë”, thuhet në reagimin e llogarisë French Response të Ministrisë së Punëve të Jashtme në rrjetin social amerikan X.

Dje, Ben-Gvir u mburr me shkatërrimin e Rripit të Gazës dhe u tall me banorët palestinezë në një video të fushatës zgjedhore, të publikuar në prag të zgjedhjeve parlamentare të Izraelit, më 27 tetor.

Ben-Gvir, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Fuqia Hebraike, publikoi gjithashtu dje një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqitet një vizion i Gazës në vitin 2030, bazuar në shkatërrimin e gjerë të shkaktuar nga qeveria e tij.

Videoja e paraqet enklavën si një qytet fantazmë, me shkollat, infrastrukturën dhe portin e shkatërruar.

Një skenë ku shfaqet një gomar pasohet nga mesazhi i partisë: “Duhet të jesh gomar për të qëndruar në Gaza”, në një përqeshje të palestinezëve që vazhdojnë të qëndrojnë atje.

Ben-Gvir ka kërkuar vazhdimisht pushtimin e Gazës, zhvendosjen e popullsisë palestineze dhe vendosjen e vendbanimeve izraelite në këtë territor.

Lufta e Izraelit në Gaza, e cilësuar si gjenocidale dhe e nisur në tetor të vitit 2023 me mbështetjen e SHBA-së, ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 74.000 personave dhe plagosjen e mbi 175.000 të tjerëve, ndërsa ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës civile.

Pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori i vitit 2025, Izraeli ka vazhduar bombardimet, të shtënat dhe shembjen e strukturave palestineze, duke e zgjeruar më tej shkatërrimin.

Videoja e fushatës vjen pasi partitë arabe akuzuan të dielën Ben-Gvirin se po shfrytëzon masat dhe shkeljet e tij kundër palestinezëve për të mobilizuar mbështetësit dhe për të frikësuar votuesit arabë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër