Kos: Kundërshtarët synojnë të pengojnë zgjerimin e BE-së dhe të dëmtojnë vendet kandidate

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi sot se vendet kandidate po përballen me kundërshtarë që synojnë të pengojnë procesin e zgjerimit të BE-së dhe të dëmtojnë këto vende, duke theksuar se objektivi kryesor i tyre është vetë Bashkimi Evropian.

“Përballemi me kundërshtarë që duan të nxjerrin nga shinat procesin e zgjerimit dhe të dëmtojnë vendet kandidate, por objektivi kryesor jemi ne: Bashkimi Evropian. Para së gjithash, Rusia, e cila synon të përmbysë procesin e bashkimit evropian”, u shpreh Kos në fjalën e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së 2026, në Bruksel.

“Përgjigjja jonë ndaj gjithë kësaj është e qartë: nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, shtoi ajo.

Kos theksoi se zgjerimi është rikthyer në qendër të një debati shumë më të gjerë mbi mënyrën se si duhet të formësohet e ardhmja e Evropës, me synimin për të garantuar paqe, liri dhe prosperitet në dekadat e ardhshme.

“Zgjerimi i sotëm po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik shumë më konkurrues”, vuri në dukje komisionerja, duke nënvizuar se asnjëherë në historinë e integrimit evropian nuk ka qenë politikisht kaq e vështirë të çohet përpara procesi i zgjerimit.

“Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar një Evropë më të madhe dhe më të fortë, të aftë për të përcaktuar të ardhmen e saj”, përfundoi Kos.

Deklarata u bë në hapje të Forumit të dytë të Zgjerimit të BE-së, me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, që zhvillohet sot në Bruksel

Ky është Forumi i dytë që mbahet në Bruksel për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Vetëm pak ditë më parë, vendet kandidate u ftuan bashkë me anëtarët në një tryezë në Dublin, në Samitin e 9-të të Komunitetit Politik Evropian të BE-së.

Shqipëria është një nga dy vendet kanditate për t’u anëtarësuar në BE brenda kësaj dekade. Me udhërrëfyesin e KE-së, negociatat kanë një afat mbylljeje deri në dhjetor 2027, kurse anëtarësimi mund të ndodhë para vitit 2030.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër