Londër, 09 qershor, Zhurnal.mk – Sistemi i ri i kontrollit kufitar të Bashkimit Evropian, i cili po shkakton vonesa të gjata për shumë udhëtarë britanikë, mund të ketë nevojë deri në dy vjet për t’u stabilizuar plotësisht, paralajmëroi sot zyrtari i lartë i agjencisë evropiane të kufijve “Frontex”, Uku Sarekanno.
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i “Frontex”, Sarekanno deklaroi se disa shtete anëtare po hasin vështirësi në zbatimin e Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES).
Sistemi EES kërkon që qytetarëve të vendeve të treta, përfshirë britanikët, t’u merren gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia për të hyrë në zonën Shengen, e cila përfshin 29 vende evropiane, kryesisht anëtare të BE-së.
Për shumicën e udhëtarëve nga BM-ja, procedura kryhet në aeroportet e vendeve pritëse, ndërsa të dhënat biometrike ruhen në sistem, për një periudhë 3-vjeçare.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) ka paralajmëruar së fundmi se radhët në pikat kufitare, mund të arrijnë deri në gjashtë orë, gjatë sezonit veror.
Sipas raportimeve, aeroportet në Spanjë, Portugali, Francë dhe Itali janë ndër më të prekurit nga vonesat.
Në muajin prill, më shumë se 100 pasagjerë të kompanisë “easyJet”, humbën fluturimin nga Milano drejt Mançesterit, për shkak të vonesave në kontrollet e pasaportave, të lidhura me zgjerimin e zbatimit të sistemit EES-së.
Duke folur në një samit të drejtuesve të industrisë së turizmit të organizuar nga Abta në Westminster, Sarekanno tha se situata pritet të normalizohet brenda një ose dy vjetësh.
“Pjesa më sfiduese është regjistrimi i parë, kur merren gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës. Nëse një person viziton sërish BE-në brenda tre vjetëve, nuk ka nevojë të kalojë të njëjtën procedurë dhe mund të përfitojë nga një proces më i shpejtë hyrjeje”, tha ai.
Rreth 1,700 pika kalimi kufitar në Evropë duhet të përdorin sistemin EES.
Sarekanno theksoi se shtetet anëtare janë ende duke u përshtatur me realitetin e ri.
Sipas tij, disa vende po e menaxhojnë procesin në mënyrë efikase, falë burimeve të dedikuara, ndërsa disa vende të tjera vazhdojnë të përballen me vështirësi.
“Ky proces përshtatjeje kërkon kohë dhe përpjekje”, tha ai.
Sistemi EES hyri në fuqi në tetor të vitit të kaluar, ndërsa zbatimi i tij u intensifikua më 10 prill të këtij viti.
Rregullat e BE-së lejojnë, aktualisht pezullimin e përkohshëm të kontrolleve, për të shmangur krijimin e radhëve gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh, por kjo praktikë nuk po zbatohet gjithmonë.
Ndërkohë, një sondazh i Booking.com tregoi se 59% e pushuesve britanikë, që planifikojnë të udhëtojnë në Evropë këtë vit, presin vonesa që lidhen me sistemin EES.
Gati gjysma e të anketuarve shprehën shqetësimin, se kontrollet kufitare mund t’u shkaktojnë humbjen e fluturimeve.
