Shkup, 3 shkurt, Zhurnal.mk – Banorët e fshatit Hotël të Komunës së Likovës me dekada përballen me mungesën e ujit të pijshëm, sidomos gjatë periudhës së verës. Për shkak rrjetit të vjetër dhe mungesës së stacionit filtrues, kriza me ujë të pijshëm është edhe në muajt tjetër të vitit. Praktikisht uji që rrjedh nëpër çezma nuk pihet pasi vjen nga lumi.
“Fshati Hotël ka rregullisht problem me ujin e pijshëm, ne verës nuk kemi ujë, diku 3 deri në 4 muaj ose gjysmë ore vjen në ditë ose hiç”, deklaroi Minir Jusufi, banor i fshatit Hotël.
“Gjatë periudhës së verës, kur thatësira arrin kulmin e vet kemi problem edhe atë problemi është bukur i ndjeshëm”, tha Fadil Shemi, banor i fshatit Hotël.
“Uji është këtu krejt llaç, asgjë. Katundi është tmerr. Verës a ka ujë? Jo verës s’ki asnjë pikë ujë, veç çka të rrejnë”, tha një tjetër banor i fshatit Hotël.
“Rrjeti i fshatit Hotël është mbi 30 vjet i vjetër. Komuna ka filluar pjesën e parë për ta bërë riparimin e rrjetit aktual dhe disa shibera apo shahte siç themi ne është duke riparuar”, deklaroi Hamid Ademi, sekretar i Bashkësisë Lokale.
Ndërkohë Komuna e Likovës ka fituar projekt nga kredia hungareze me të cilin parashikohet të tejkalohet ky problem. Projekti kushton mbi 700 mijë euro dhe duhet ta rindërtojë boshtin lidhës nga Ujësjellësi i Likovës deri te Rezervuari ekzistues. Alsat, vizitoi rezervuarët mbi fshatin Hotël ku parashihet të ndërtohet edhe një rezervuar shtesë. Ndonëse kishin filluar me punime, gjatë vizitës sonë nuk kishte punëtorë, ndërsa rruga që shpie deri te rezervuarët nuk ishte e kalueshme me veturë për shkak reshjeve të shiut.
Kreu i Komunës, Erkan Arifi thotë se projekti duhet të përfundojë deri në fund të v itit 2027, ndërsa me ketë zgjidhjet përgjithmonë ky problem.
“Nuk mund të ketë problem për arsye se është bërë fizibiliti studimi, janë bërë të gjitha analizat. Është bërë projekti kryesor, është dhënë leja e ndërtimit, është aplikuar në ministrinë kompetente, është lejuar dhe vazhdon të punohet me të vetmin qëllim që të kemi zgjidhje të përhershme për ato banorë të fshatit”, deklaroi Erkan Arifi, Kryetar i Likovës.
Në dy thirrjet e Qeverisë nga kredia hungareze Komuna e Likovës ka fituar 3,9 milion euro për gjashtë projekte: rikonstruimin e rrugëve lokale në Likovë, Nikushtak, Orizare, Vaksincë, Sllupçan si dhe rrugën nga penda e Likovës drejt fshatit Goshincë. /Alsat.mk

