Prishtinë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza (ISF), pasi është nënshkruar marrëveshja për pjesëmarrjen e saj në këtë mision.
Marrëveshja e Participimit është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të ISF-së në Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, në prani të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes.
Marrëveshjen e kanë nënshkruar përfaqësuesit e Bordit të Paqes/ISF Gaza dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë ceremonisë, Jeffers ka vlerësuar vendimin e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar.
“Vlerësoi lart vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ndërkaq, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka thënë se pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të kontribuar në promovimin e paqes dhe sigurisë.
“Pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë”, thuhet në njoftim.
Sipas FSK-së, kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.
“KOMFSK theksoi se FSK synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv të qartë strategjik, kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj”, thuhet më tej në njoftim.
FSK-ja ka theksuar se synon të kontribuojë në mënyrë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, së bashku me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
