FSSH sqaron pse punonjësit e MPB-së mbetën pa sigurim shëndetësor: Nuk bëhet fjalë për problem teknik, sistemi funksionon kështu

Nga R.ZH
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht Zhurnal.mk – Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) ka sqaruar situatën me sigurimin shëndetësor të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke theksuar se problemi nuk është rezultat i ndonjë defekti teknik apo ngecjeje në sistemin e Fondit, shkruan Fokus, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas të dhënave të evidentuara në sistem, në MPB janë të regjistruar punonjës të cilët janë rikthyer në vendet e tyre të punës në bazë të vendimeve gjyqësore. Për një pjesë të tyre, aktualisht nuk është evidentuar pagesa përkatëse e kontributeve për sigurim shëndetësor për periudhën për të cilën janë regjistruar.

Nga FSSH sqarojnë se bëhet fjalë për një mekanizëm sistemor që zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha subjektet juridike në vend.

“Regjistrimi i punonjësve, përllogaritja dhe pagesa e kontributeve janë procese të lidhura me sistemin e arkëtimit të kontributeve përmes Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ndërsa Fondi e evidenton statusin në bazë të të dhënave për pagesën e realizuar”, thuhet në sqarimin e FSSH-së.

Sipas Fondit, në raste të tilla, kur një subjekt juridik regjistron në mënyrë plotësuese punonjës për një periudhë të kaluar, është e nevojshme të bëhet korrigjimi përkatës i përllogaritjes së pagës për atë periudhë dhe të paguhen kontributet edhe për personat e regjistruar më vonë.

Pas evidentimit të pagesës, sigurimi shëndetësor aktivizohet automatikisht.

FSSH thekson se për këtë arsye nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim individual administrativ të Fondit dhe as për çaktivizim manual të të siguruarve nga punonjësit e institucionit.

“Procesi është sistemor dhe i automatizuar dhe të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë punëdhënësit dhe institucionet, pa përjashtim”, sqarojnë nga Fondi.

Nga FSSH shtojnë se edhe në të kaluarën janë përballur me situatë të ngjashme te punonjësit e tyre, gjë që, sipas tyre, dëshmon se mekanizmi zbatohet në mënyrë të njëjtë për çdo subjekt juridik.

Në institucionet me numër të madh të punësuarish, siç është MPB-ja, regjistrimi plotësues i personave në bazë të vendimeve gjyqësore mund të ketë ndikim më të gjerë nëse në kohë nuk bëhet korrigjimi i nevojshëm dhe pagesa e kontributeve.

Ndërkohë, përfaqësues të FSSH-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme janë në koordinim të drejtpërdrejtë për zbatimin e procedurave të nevojshme dhe tejkalimin e situatës në afatin më të shkurtër të mundshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër