Fushata: “Thoni jo mjeteve piroteknike”, Autoritet: Pasojat e rënda nga mjetet piroteknike

Nga B.M
707 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 janar – Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Klinikën Universitare për Kirurgji Plastike prezantuan rezultatet e fushatës së përbashkët “Krijoni kujtime pa lëndime – thoni jo mjeteve piroteknike”, që synon ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet e përdorimit të piroteknikës, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë.

“Gjatë dhjetorit, këtë vit u mbajtën ligjërata mbi 136 shkolla, të mesme dhe fillore, në 26 qytete të vendit tonë duke përfshirë mbi 1.200 nxënës. Pavarësisht përpjekjeve institucionale dhe vëllimit të aktiviteteve edukative, si dhe mesazheve të përsëritura do të vazhdojmë edhe në të ardhmen pasi që pasojat e përdorimit të paligjshëm të mjeteve piroteknike vazhdojnë të jenë realitet dhe rrezik në shtetin tonë.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Nga MPB informuan se hetimi është duke vazhduar për rastin tragjik të fëmijës dyvjeçar që vdiq nga një plumb në natën e Vitit të Ri.

“Hetimi është duke vazhduar. Ajo që është bërë zyrtare deri më tani është se është një plumb që është konfirmuar nga autoritetet kompetente. Nuk është një plumb që ishte drejtuar drejtpërdrejt për të qëlluar fëmijën, por më tepër një plumb i humbur. Hetimi do të vazhdojë, do të ndërmarrim të gjitha hapat kompetentë për të përcaktuar autorin konkret. Pavarësisht faktit se këto raste janë mjaft të vështira për t’u zbuluar dhe për t’u hetuar, do të bëhet gjithçka për të arritur në të vërtetën.”, – theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

“Shtatë persona (dy të rritur dhe pesë fëmijë) u operuan për shkak të lëndimeve më serioze në majat e gishtërinjve, u krye amputimi i një pjese të gishtërinjve, me plagë dhe djegie në pëllëmbët e duarve. Nga këta, tre fëmijë u pranuan në Qendrën e Urgjencës, dy të rritur në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe dy fëmijë në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike.”, – theksoi drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Jasmina Gjorgjievska.

Autoritetet kompetente apelojnë veçanërisht prindërit që të mos lejojnë piroteknikë në duart e fëmijëve të tyre dhe t’i përfundojnë festat me buzëqeshje, jo në sallat e operacionit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër