Shkup, 12 tetor 2026 – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka bërë të ditur se me fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Bukojçan–Kërçovë, po merr formë konkrete realizimi i Korridorit VIII, një prej projekteve strategjike infrastrukturore për vendin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gashi ka theksuar se bëhet fjalë për një projekt të premtuar prej shumë vitesh, ndërsa sipas tij, investimi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës rrugore.
“Me fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Bukojçan – Kërçovë, po merr formë konkrete realizimi i Korridorit VIII, një projekt strategjik për vendin, i premtuar për shumë vite”, ka shkruar Gashi.
Ai ka vlerësuar se ky investim do të përmirësojë lidhjen e Maqedonisë së Veriut me rajonin, do të lehtësojë transportin dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas Gashit, zhvillimi i infrastrukturës dhe realizimi i Korridorit VIII pritet të krijojnë gjithashtu mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik.
“Investime në infrastrukturë dhe Korridori VIII përbëjnë lidhje, zhvillim dhe perspektivë për të ardhmen e vendit tonë”, ka përfunduar ai.
