Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Pariteti gjinor në jetën politike nuk është çështje që u përket vetëm grave. Ai është çështje që përcakton cilësinë, legjitimitetin dhe përfaqësimin e çdo institucioni demokratik. Një parlament në të cilin mungon zëri i gjysmës së popullsisë është një parlament që nuk i dëgjon në tërësi nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të tij, porositi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në tryezën e sotme të rrumbullakët “Avancimi i paritetit gjinor dhe lufta kundër dhunës digjitale ndaj grave në politikë në Maqedoni të Veriut.
Sipas Gashit, gjatë dekadave të kaluara, Kuvendi ka arritur përparim të konsiderueshëm lidhur me përfaqësimin e grave.
“Kjo është rezultat i reformave ligjore, por edhe i punës së vazhdueshme të organeve të Kuvendit të përkushtuara ndaj barazisë gjinore, përfshirë Komisionin për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave dhe Klubin e Deputeteve. Megjithatë, shifrat në vetvete nuk janë të mjaftueshme. Jemi të vetëdijshëm se pjesëmarrja politike e grave sot përballet me një sfidë të re dhe serioze, e ajo është dhuna digjitale dhe dezinformimi i drejtuar ndaj grave në politikë. Ky fenomen i dekurajon gratë të përfshihen në politikë, i sulmon ato që tashmë janë pjesë e saj dhe, në planin afatgjatë, e cenon pluralizmin e demokracisë sonë. Prandaj, është e domosdoshme që ky problem të trajtohet me të njëjtin seriozitet me të cilin trajtohet çdo çështje tjetër e sigurisë institucionale dhe sundimit të ligjit”, theksoi Gashi.
Gjatë dy ditëve të ardhshme, kjo Tryezë e Rrumbullakët do të ofrojë hapësirë për dialog të hapur dhe konstruktiv ndërmjet deputeteve dhe deputetëve, përfaqësuesve të Qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile. Do të diskutojmë për kornizat ndërkombëtare dhe rajonale për paritetin, për stereotipet dhe normat shoqërore që e pengojnë pjesëmarrjen politike të grave, si dhe për mënyrat se si institucionet tona, përfshirë vetë Kuvendin, mund t’u përgjigjen më mirë seksizmit, ngacmimit dhe dhunës ndaj grave në politikë.
“Ky dialog nuk duhet të kuptohet si kritikë e drejtuar ndaj ndonjë institucioni konkret apo ndaj ndonjë subjekti politik. Përkundrazi, kjo është një ftesë për reflektim të përbashkët dhe përgjegjësi të përbashkët. Sfidat për të cilat flasim sot i tejkalojnë kufijtë partiakë dhe, pikërisht për këtë arsye, zgjidhjet duhet t’i kërkojmë së bashku, me çiltërsi, mbi bazën e fakteve dhe me respekt për pikëpamjet e ndryshme. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shtëpi ligjvënëse e të gjithë qytetarëve, e njeh përgjegjësinë e tij të dyfishtë në këtë proces. Nga njëra anë, ne jemi institucioni që miraton ligje dhe ushtron mbikëqyrje mbi politikat e pushtetit ekzekutiv në fushën e barazisë gjinore. Nga ana tjetër, ne vetë jemi vend pune dhe hapësirë publike në të cilën duhet të zbatohen standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit, për deputetet, për të punësuarit në Shërbimin e Kuvendit dhe për çdo qytetar që është në kontakt me këtë institucion”, theksoi Gashi.
Pariteti gjinor nuk është çështje e vullnetit të mirë apo e përfaqësimit simbolik. Ai është çështje e cilësisë së politikave publike. Hulumtimet në mbarë botën tregojnë se parlamentet me pjesëmarrje më të madhe dhe më thelbësore të grave hartojnë zgjidhje ligjore më të bazuara, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme, veçanërisht në fushën e politikave sociale, arsimit dhe shëndetësisë. Prandaj, për paritetin flasim jo si qëllim në vetvete, por si mjet për një qeverisje më të mirë në interes të të gjithë qytetarëve, grave dhe burrave.
“Njëkohësisht, nuk mund t’i injorojmë pengesat që ende ekzistojnë. Stereotipet për rolin e gruas në diskursin publik, përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave në pozitat më të larta drejtuese, si dhe format e reja të dhunës digjitale dhe dezinformimit, vazhdojnë ta vështirësojnë rrugën e shumë grave që dëshirojnë të hyjnë ose të mbeten aktive në politikë. Kjo Tryezë e Rrumbullakët është konceptuar pikërisht si hapësirë ku këto sfida do të trajtohen hapur, pa tabu dhe pa politizim, me një qëllim të vetëm – të gjejmë zgjidhje të përbashkëta dhe të zbatueshme”, tha Gashi.
Vlen të kujtojmë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut prej një periudhe të gjatë investon në këtë fushë. Komisioni për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave, i themeluar në vitin 2006, dhe Klubi i Deputeteve, i cili funksionon prej më shumë se njëzet vjetësh, janë shembull se si një trup institucional mund të krijojë hapësirë të qëndrueshme për promovimin e çështjeve të barazisë gjinore, përtej dinamikës së përditshme politike. Së fundmi, Kuvendi miratoi edhe Planin e ri të aksional për avancimin e barazisë gjinore për periudhën 2025–2027, i cili përmban masa konkrete edhe në fushën e parandalimit të seksizmit dhe ngacmimit brenda vetë institucionit.
Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se ligjet dhe strategjitë, sado mirë të jenë të hartuara, nuk janë të mjaftueshme në vetvete. Nevojitet bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet pushtetit ligjvënës dhe pushtetit ekzekutiv, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, në mënyrë që politikat të zbatohen në praktikë dhe të sjellin ndryshim real në jetën e grave që dëshirojnë të marrin pjesë në jetën politike dhe publike të vendit tonë. Pikërisht për këtë arsye, aktiviteti i sotëm mbledh këtë rreth të gjerë aktorësh, për të diskutuar hapur gjatë këtyre dy ditëve, për të shkëmbyer përvojat dhe për të përcaktuar rekomandime konkrete dhe të zbatueshme.
“Më lejoni që, në fund, ta falënderoj Unionin Ndërparlamentar për partneritetin dhe mbështetjen shumëvjeçare. Falënderoj të gjithë mysafirët tanë që kanë ardhur sot për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre, si dhe falënderoj koleget dhe kolegët e mi deputete dhe deputetë për praninë dhe përkushtimin e tyre. Partneritet me Unionin Ndërparlamentar, si dhe praninë e kaq shumë përfaqësuesve të institucioneve dhe të shoqërisë civile sot, e shoh si një sinjal të qartë se çështja e paritetit gjinor dhe sigurisë së grave në politikë kërkon përkushtimin tonë të përbashkët dhe afatgjatë, jo vetëm gjatë këtij aktiviteti, por edhe shumë kohë pas përfundimit të tij. Me besimin se diskutimet gjatë këtyre dy ditëve do të sjellin ide dhe rekomandime konkrete që do ta avancojnë pjesëmarrjen politike të grave në vendin tonë, e shpall këtë aktivitet zyrtarisht të hapur” tha në fund Gashi.
