Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, me qëllim vendosjen e një lidhjeje digjitale ndërmjet dy institucioneve përmes platformës softuerike EPUS.
Memorandumi synon lehtësimin dhe përshpejtimin e komunikimit ndërmjet Kuvendit dhe Gjykatës Administrative, si dhe digjitalizimin e shkëmbimit të dokumenteve dhe akteve në kuadër të procedurave administrative-gjyqësore.
“Digjitalizimi i proceseve institucionale është një hap i rëndësishëm drejt komunikimit më efikas, procedurave më të shpejta dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët. Përmes këtij memorandumi krijojmë kushte për bashkëpunim më modern dhe më funksional ndërmjet institucioneve”, theksoi Gashi.
Ai vlerësoi se avancimi i zgjidhjeve digjitale mbetet një nga prioritetet për rritjen e efikasitetit institucional dhe forcimin e administratës publike në vend.
