Shkup/Kopenhagë, 04 Maj, Zhurnal.mk – Kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha në një konferencë me homologët e kuvendeve të vendeve të BE-së dhe të vendeve aspiruese, se institucionet në Shkup do të vazhdojnë që të punojnë për reformat e nevojshme për hyrjen, tashmé të bllokuar, në BE.
“Shpreha përkushtimin e palëkundur ndaj rrugës europiane, ndërsa rikonfirmova se zgjerimi është investim në paqe, stabilitet dhe prosperitet për ne, por edhe për të gjithë kontinentin. Nënvizova nevojën për një proces të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita, si dhe reformat e domosdoshme për të cilat vendi ynë do vazhdojë të punojë,” ka shkruar Gashi përmes Facebook, për konferencën në Kopenhagë të Danimarkes, shkruan Zhurnal.mk
“Theskova se bashkëpunimi parlamentar dhe mbështetja e ndërsjellë, është parakusht esencial që do ta bëjë realitet aspiratën tonë europiane,” tha ai më tutje.
Rruga e Maqedonisë së Veriut për hyrje në BE tash e katër vite është bllokuar meqë kuvendi i vendit nuk po mund të ndryshojë kushtetutën për futjen e bashkësisë bullgare, të kërkuar nga BE e të imponuar nga Bullgaria.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE refuzojnë që të japin votën për ndryshime kushtetuse për të futur bashkësinë bullgar në të, përderisa Bullgaria dhe BE nuk plotësojnë dy kundër-kushtet e tij.
Ai kërkon që Bullgaria të plotësojë kërkesat e tij për të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari, dhe së dyti që Bullgaria dhe vet BE të japin garancione zyrtare se Sofia nuk do të ketë kërkesa e kushtëzime shtesë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilën Bullgaria refuzon që ta njohë si të tillë por e trajton si derivat të gjuhës bullgare. / Zhurnal.mk
