Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë

Nga R.ZH
779 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 korrik, Zhurnal.mk – Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën.

Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar estonezin Aivo Orav.

Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.

Më herët, ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022-2024), ndërsa ka qenë edhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019-2022) dhe në Moldavi (2009-2013).

Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.

Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Në dy vjetët e fundit – nga 2024-ta deri në fund të marsit – në këtë funksion ishte Aivo Orav.

Në një nga deklaratat e fundit për mediat në Kosovë, Orav tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “nuk do të zhduket”.

“Dialog do të thotë gjithashtu Asociacion”, tha ai.

Pas largimit të tij, ushtrimin e detyrës e mori përsipër zëvendësshefja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Në një shkrim të publikuar javën e kaluar, Palatova tha se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, por theksoi se përgjegjësia për avancimin e së ardhmes evropiane të Kosovës u takon udhëheqësve politikë dhe institucioneve të Kosovës.

Me atë rast, ajo bëri thirrje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke thënë se partia fituese – në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje – ka përgjegjësi të veçantë që të angazhohet me partitë e tjera politike për të arritur kompromis.

Kosova nuk ka institucione të qëndrueshme tash e më shumë se një vit e gjysmë, pasi tri palë zgjedhje të mbajtura brenda kësaj periudhe nuk kanë arritur t’i japin vendit një shumicë funksionale.

“Konkurrenca politike është një tipar normal dhe i shëndetshëm i demokracisë. Avancimi i së ardhmes evropiane të Kosovës duhet të jetë një objektiv i përbashkët”, shkroi Palatova.//REL

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër