GJKKO dënon me 2 vjet shërbim prove ish-zyrtarin e burgjeve

nga D. V.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sot deklarimin fajtor të të pandehurit Irakli Leka, ish-shef i regjimit të brendshëm në burgun e Lushnjës, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas njoftimit për shtyp të GJKKO, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani vendosi dënimin e tij me 3 vite e 3 muaj burgim, por në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Irakli Leka iu zbrit 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite e 2 muaj burgim.

Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Irakli Leka për një periudhë kohore 2 vite dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

GJKKO sqaron se duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit Irakli
Leka.

Gjithashtu Lekës i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.

Rasti i Lekajt u publikua në një emision investigativ teksa u filmua duke marrë 700 euro në këmbim të një leje 5 ditore për një të dënuar në burgun e Lushnjës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More