Gjykimi “Lotaria Shtetërore”, Dëshmitari: Janë blerë aparate VLT pa miratimin e Bordit Drejtues

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Lotaria Shtetërore ka blerë aparate VLT pa kërkuar paraprakisht mendimin e Bordit Drejtues. Kështu deklaroi Andrej Kërstevski, anëtar i Bordit, i cili dëshmoi sot në gjykimin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, në rastin që lidhet me keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore.

Kërstevski tha se drejtori i atëhershëm, Përparim Bajrami, e kishte informuar se do të bliheshin aparate VLT me qëllim të thyerjes së monopolit në lojërat e fatit. Megjithatë, sipas tij, anëtarëve të Bordit nuk u ishin dorëzuar materiale konkrete dhe as nuk ishte kërkuar mendimi i tyre për këtë furnizim, të cilin e cilësoi si një marrëveshje të madhe financiare. Sipas dëshmisë së tij, aparatet e blera kishin përfunduar në magazinën e Lotarisë Shtetërore dhe nuk ishin vënë asnjëherë në përdorim.

“Në rastin konkret ekziston vendim i Këshillit Mbikëqyrës dhe konkluzion i Qeverisë. Këto janë organe që qëndrojnë mbi Bordin Drejtues dhe për të cilat konsiderojmë se është krejtësisht e parëndësishme nëse ekziston një vendim konkret, pasi ekzistojnë vendime të organeve mbikëqyrëse dhe atyre më të larta në këtë shoqëri aksionare.”, – theksoi avokati, Elenko Milanov.

Në aktakuzë janë përfshirë tetë persona, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami. Ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, pasi kanë blerë aparate për lojëra të fatit, të cilat nuk kishin të drejtë t’i organizonin. Dëmi i vlerësuar arrin në 9.7 milionë euro.

artikuj të ndërlidhura