Gogu: Shqipëria, Rumania dhe Moldavia bashkojnë përvojën e reformave gjyqësore në tryezë parlamentare

Nga D. V.
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu mori pjesë sot në tryezën trepalëshe me përfaqësues të Komisioneve Ligjore dhe Këshillave të Lartë Gjyqësorë dhe të Prokurorisë, duke ndarë mësimet e reformës shqiptare në drejtësi dhe duke diskutuar mbi sfidat e fazës pas vetingut.

Tre vende me histori të ndryshme reformash, por me të njëjtat pyetje të mëdha mbi sundimin e ligjit dhe rolin e parlamentit, kështu mund të përmblidhet tryeza e sotme e diskutimit, ku Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë bashkëndau me homologet rumunë dhe moldavë arritjet, sfidat dhe mësimet e një dekade ndërtimi institucional.

Tryeza mblodhi përfaqësues nga Komisionet Parlamentare për Çështjet Ligjore dhe nga Këshillat e Lartë Gjyqësore dhe të Prokurorisë të të tre vendeve, me fokus të veçantë në dy tema: rolin e parlamentit si motor i refomës gjyqësore dhe bashkëpunimin institucional ndërkufitar si mekanizem i qëndrueshmërisë demokratike.

Në fjalimin e tij përshëndetës, Gogu evidentoi tre dimensionet e rolit parlamentar në reformën shqiptare: hartimi dhe miratimi i paketës kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016, procedurat e zgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë të KLGJ dhe KLP dhe mbikqyrja institucionale nëpërmjet raportimeve dhe dëgjesave parlamentare. Ai pranoi gjithashtu se raportet ndërkombëtare, përfshirë Raportin e Komisionit Europian mbi Sundimin e Ligjit të vitit 2025, kanë dokumentuar se mbikqyrja parlamentare mbi ekzekutivin mbetet e kufizuar dhe se proceset e emërimeve kanë nevojë për forcim meritokratik.

Fjalimi u ndërtua mbi dy referenca akademike me rëndësi: argumentin e Daron Acemoglu dhe James Robinson në librin “Korridori i ngushtë”, se liria dhe shteti i së drejtës janë produkt i balancës dinamike ndërmjet institucioneve, jo i vullnetit të njëanshëm politik, dhe tezën morale të lord Tom Bingham në “Sundimi i ligjit”, sipas të cilit sundimi i ligjit nuk kërkon vetëm ligje formalisht të rregullta, por institucione që mbrojnë qytetarin edhe nga shteti vetë.

Procesi i vetingut, që pritet të përmbyllet brenda afatit kushtetues të qershorit 2026, u prezantua si referim konkret: nga 417 vendimet e pritshme, 56% kanë rezultuar në shkarkim dhe 44% në konfirmim, shifra që, sipas Gogut, nuk jane vetem statistika kuadri, por mesazh ndaj qytetarëve shqiptarë se shteti nuk toleron papërgjegjshmërinë.

Ndër investimet e prezantuara: buxheti i konsoliduar i institucioneve të drejtësisë për 2026 arrin 296 milionë euro; Gjykata e Lartë ka reduktuar dosjet e prapambetura me 60% që nga viti 2020; dhe sistemi JURONIX do të digjitalizojë mbi 13 milionë faqe vendimesh gjyqësore që nga viti 1950.

Tryeza u zhvillua ne kontekstin e hapjes nga Shqiperia të grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, përfshi grupkapitullin e themeloreve.

Bashkëpunimi me Rumaninë, vend anëtar i BE-së me përvojë të konsoliduar postreformë dhe me Moldavinë, e cila ndërton institucione të reja në kohë sfiduese, u vlerësua si shembull i dialogut analitik brenda hapësirës europiane të drejtësisë.

Tryeza do të vijojë me seancat e punës ku delegacionet do të trajtojnë konkretisht: mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare të organeve gjyqësore pa cenuar pavarësinë e tyre; mësimet e Rumanisë nga faza e pasvetingut; dhe sfidat e Moldavisë në ndërtimin institucional nën presione politike dhe gjeopolitike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër