Shkup, 26 mars – Me vendim zyrtar të Gjykatës është konstatuar si e paligjshme greva e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, që duhej të zhvillohet në muajin tetor të vitit të kaluar. Po ashtu, avokati i autorizuar i M-NAV-it, Goran Nikollovski, ka theksuar se është ngritur padi penale kundër kryetarit të Sindikatës, Aleksandar Tasevski, për shpërdorim të detyrës.
“Nga ana e Gjykatës Themelore Civile në Shkup është konstatuar se greva që duhej të mbahej është ndërprerë, duke e cilësuar gjykata këtë si vendim të paligjshëm. Greva është e ndërprerë për tre arsye edhe atë: kërkesa për grevë nuk përmban asnjë kërkesë sindikale, pra kërkesë për mbrojtje të të drejtave të punës, nuk është zhvilluar një procedurë e detyrueshme pajtimi mes palëve, dhe vendimi i tretë ka qenë se gjykata ka konstatuar se Sindikata e Kontrolluesve të Trafikut Ajror nuk ka legjitimitet ligjor për të organizuar dhe zhvilluar greva në mënyrë të pavarur.”, – deklaroi avokati i M-NAV-it, Goran Nikollovski.
Sipas Nikollovskit, duke e ditur se kjo sindikatë përsëri do të iniciojë dhe paralajmërojë greva të tjera, nga ana e M-NAV-it, është ngritë procedurë gjyqësore, me të cilën kërkohet që gjykata të sjellë vendim se kjo sindikatë të mos ketë të drejtë të paralajmërojë greva.
Ai po ashtu theksoi se është ngritur padi penale kundër kryetarit të Sindikatës, Aleksandar Tasevski, për shpërdorim të detyrës.
“Është ngritur padi penale kundër kryetarit të Sindikatës, Aleksandar Tasevski, padia është ngritur për shpërdorim të detyrës, ku zotëria në fjalë për qëllime të tija private, ka keqpërdorur pozicionin e tij zyrtar si kryetar i Sindikatës dhe ka dhënë njoftim dhe lutje për shfrytëzimin e ditëve të punës me pagesë, me argumentim se ditët do t’i shfrytëzojë për aktivitete të sindikatës dhe takime me përfaqësues të sindikatave. Ndërsa e vërteta është se zotëria ka udhëtuar në vizitë private në Qipro me të dashurën e tij.”, – theksoi avokati i M-NAV-it, Goran Nikollovski.
Duke theksuar rëndësinë strategjike të institucionit që garanton sigurinë e trafikut ajror, avokati nënvizoi se M-NAV-i është i detyruar të ndërmarrë veprime për të mbrojtur kapitalin e saj dhe interesat e shtetit sa herë që ka informacione të vërtetuara, ndërsa vendimi përfundimtar për të filluar procedurë penale i takon vetëm Organeve Gjyqësore.
Në konferencën për shtyp u njoftua gjithashtu se është përcaktuar identiteti i një punonjësi të M-NAV-it, i cili zbuloi sekrete të kompanisë dhe të njëjtat i janë dhënë për publikim në portalin “Burevesnik”.
