Greva e “Lufthansa”-s në ditën e pestë, anulohen qindra fluturime të tjera

Nga D. V.
169 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Frankfurt, 17 prill Zhurnal.mk – Greva në kompaninë ajrore gjermane “Lufthansa” ka hyrë sot në ditën e pestë radhazi , duke lënë në tokë qindra fluturime dhe duke rritur tensionet mes ekipit menaxhues dhe sindikatave.

Veprimi  i punonjësve ka prekur kompaninë kryesore, “Lufthansa Cargo” dhe njësinë rajonale “Lufthansa CityLine”.

Kjo e fundit pritet të mbyllet më herët nga sa ishte planifikuar, me grupin “Lufthansa” që njoftoi dje se fluturimet mund të ndërpriten që të shtunën.

“Lufthansa” e justifikoi këtë vendim duke përmendur kostot e larta të karburantit dhe ndikimin financiar nga grevat e pilotëve dhe ekuipazhit të kabinës, të cilat kanë goditur kompaninë në mënyrë të përsëritur gjatë javëve të fundit.

Sipas operatorit “Fraport”, në airportin e Frankfurtit, nyja kryesore ajrore e Gjermanisë, rreth 650 nga 1 337 fluturime të planifikuara u anuluan sot.

Sindikatat e pilotëve kanë reaguar ashpër ndaj strategjisë së kursimeve të përforcuara nga “Lufthansa” dhe kanë vënë në dyshim arsyetimin për mbylljen e parakohshme të “CityLine”.

Presidenti i sindikatës së pilotëve, Andreas Pinheiro, deklaroi se arsyet gjeopolitike të përmendura nga kompania nuk janë bindëse, duke shtuar se asnjë konkurrent nuk po redukton kapacitetin në këtë shkallë.

Ai theksoi gjithashtu se menaxhmenti duket i gatshëm të pranojë dëme të mëdha operacionale dhe ekonomike për të imponuar agjendën e tij në negociatat kolektive.

Mosmarrëveshja e punës lidhet kryesisht me kërkesat e pilotëve për kontribute më të larta të punëdhënësit në pensione, ndërsa negociatat në “CityLine” janë fokusuar në rritjen e pagave. Pilotët kanë zhvilluar grevë për katër ditë këtë javë, ndërsa stjuardesat kanë ndërmarrë veprime proteste për dy ditë

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër