Grossi: Premtimi i Iranit për të mos pasur armë bërthamore kërkon verifikim të rreptë

Nga D. V.
1,027 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gjenevë, 26 qershor, Zhurnal.mk –  Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) Rafael Grossi, deklaroi se angazhimi i Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore duhet të shoqërohet me një sistem “shumë të fortë” verifikimi, ndërsa vazhdojnë negociatat mes Teheranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje të përhershme.

Grossi tha se deklaratat politike nuk mjaftojnë dhe se inspektimet ndërkombëtare duhet të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sipas tij, objektivi kryesor i marrëveshjes është të garantohet që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore.

Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së nisën pas marrëveshjes paraprake të arritur javën e kaluar për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa programi bërthamor mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të negociatave.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse inspektorët e IAEA-s do të lejohen të rikthehen në objektet bërthamore iraniane.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka pranuar plotësisht rikthimin e inspektimeve, ndërsa autoritetet iraniane kanë mohuar se planifikojnë të lejojnë hyrjen e agjencisë.

Sipas marrëveshjes paraprake, rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet të hollohen nën mbikëqyrjen e IAEA-s.

Para luftës, agjencia vlerësonte se Irani zotëronte rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, ndërsa nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë rezervë pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore.

Grossi tha se një alternativë do të ishte transferimi i uraniumit jashtë Iranit, duke shtuar se ekzistojnë disa zgjidhje teknike për menaxhimin e materialit bërthamor.

Përveç programit bërthamor, një tjetër pikë kyçe e negociatave mbetet Ngushtica e Hormuzit.

Irani ka propozuar vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në këtë rrugë strategjike detare, një ide që është kundërshtuar ashpër nga Uashingtoni dhe vendet e Gjirit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër