Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi për një javë, saktësisht më 13 gusht, do të dalë nga arresti shtëpiak, pasi atëherë përfundon afati ligjor i kësaj mase. Megjithatë, në fuqi do të mbeten masat e kujdesit, ndër të cilat i është marrë edhe pasaporta, për çka ai ofron garanci prej 335.707 euro që edhe ato të hiqen.
Propozimi i akuzës, mbi të cilin është regjistruar lënda penale, është dorëzuar më 13 gusht 2026. Sipas nenit 470 të Ligjit për procedurën penale, arresti mund të zgjasë maksimumi 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozimit të akuzës. Për këtë arsye, siç ishte theksuar edhe më herët, dhe e njëjta u potencua edhe nga gjyqtari që vepron në lëndë, me fuqi të Ligjit, masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar përfundon më 13 tetor 2026. Njëkohësisht, përveç masës së arrestit shtëpiak, ndaj të akuzuarit është caktuar edhe një masë shtesë kujdesi, pra marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi për lëshimin e pasaportës ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, e cila do të vazhdojë të vlejë edhe pas përfundimit të 60 ditëve të parashikuara me ligj.
Në lidhje me këtë masë kujdesi, mbrojtja ka dorëzuar në Gjykatë një propozim, me të cilin, sipas nenit 150 të Ligjit për procedurën penale, propozon heqjen e saj me caktimin e garancisë. Pikërisht, mbrojtja ka ofruar pasuri të paluajtshme me vlerë prej 335.707 euro si garanci që i akuzuari do të jetë i qasshëm për organet e ndjekjes gjatë procedurës penale, informojnë nga Gjykata Penale. Prej andej shtojnë se për garancinë e ofruar është formuar lëndë, e cila është dorëzuar për mendim në Prokurorinë Publike kompetente.
Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të veprojë sipas propozimit, ndërsa për vendimin e marrë palët dhe opinioni publik do të informohen me kohë, theksojnë nga Gjykata Penale.
