Gruda: Ligji për Specialen është triumf i përpjekjes institucionale dhe shtetërore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan projektligjin e sponsorizuar nga PDK-ja për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.

Gruda ka falënderuar edhe qytetarët e Kosovës për protestat dhe angazhimin e tyre për miratimin e këtij ligji.

“Mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, ishte një natë e gjatë me shumë zhvillime politike, por unë jam këtu sot në emër të Partisë Demokratike të Kosovës për të falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë votuar projektligjin e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Po ashtu, më lejoni që në emër të PDK-së t’i falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët e Kosovës dhe t’ju shpreh mirënjohjen tonë të pakufishme për protestën, për sakrificën dhe vendosmërinë si një komb i lirë për të mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të kërkuar miratimin e këtij ligji”, tha Gruda.

Sipas Grudës, miratimi i ligjit nuk duhet të shihet si triumf i ndonjë partie politike, por si rezultat i një përpjekjeje institucionale.

“Ky ligj nuk përbën asnjë triumf politik të kërkujt, ky ligj përbën triumfin e një përpjekjeje institucionale dhe shtetërore të drejtuar nga PDK-ja për të vendosur Gjykatën Speciale brenda standardeve kushtetuese për të cilat edhe është themeluar. Ky ligj, pra projektligji i miratuar dje, që tashmë është ligj, ka për synim që të kufizojë juridiksionin e Gjykatës Speciale dhe të garantojë gjykim të drejtë të bazuar në standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila është e detyrueshme për këtë gjykatë”, tha ai.

Deputeti i PDK-së ka deklaruar se ky ligj, sipas tij, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe se institucionet e vendit mbeten të përkushtuara ndaj obligimeve që kanë marrë.

“Po ashtu, më lejoni të theksoj se jemi të bindur që ligji tashmë nuk e shkel asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë dhe jemi po aq të hapur për autoritetet ndërkombëtare për të thënë që Kosova i rri besnik detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafik të organeve dhe Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkëputet. Ne e mirëpresim po ashtu deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, zonjës Von der Leyen, e cila tha që Kosova ka të drejtën e saj të ndryshojë ligjin dhe ky ka qenë një udhërrëfyes për ne për ta draftuar dhe për ta miratuar këtë ligj”, tha Gruda.

Në deklaratën e tij, Gruda ka folur edhe për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke i uruar asaj sukses në ushtrimin e detyrës së re.

“Po ashtu, më lejoni që të uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës, profesoreshës së nderuar, zonjës Justina Shiroka-Pula. Profeshores së nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe kryetares së deritanishme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i uroj në emër të Partisë Demokratike të Kosovës sukses në punën e saj si presidente, në respektimin e Kushtetutës së Kosovës, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në garantimin e funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, dhe veçanërisht në ushtrimin e rolit të saj si përfaqësuese e unitetit juridiko-kushtetues, siç është definuar qartësisht në Kushtetutën e Kosovës”, tha Gruda.

Gruda ka thënë se me zgjedhjen e presidentes së re, Kosova, sipas tij, ka hyrë në një fazë të re politike, me një balancë më të madhe kushtetuese dhe politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër