Hamasi paralajmëron Izraelin: Mund të përsërisim sulmin e 7 tetorit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tel Aviv, 22 tetor, Zhurnal.mk – Grupi palestinez i armatosur, Hamas ka paralajmëruar Izraelin se mund të kryejë një sulm të ngjashëm me atë të 7 tetorit 2023, kur ndodhi masakra në Izrael, raportoi sot media izraelite “ynet”.

COGAT, autoriteti izraelit që merret me çështjet palestineze, konfirmoi për “ynet” se kërcënimi i ishte përcjellë një prej zyrtarëve të tij gjatë një takimi me Ramiz Alakbarov, të dërguarin e OKB-së për Lindjen e Mesme.

Alakbarov zhvilloi bisedime me anëtarë të lartë të Hamasit javën e kaluar.

Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga burime të tjera.

Sipas raportimit, kërcënimi lidhej edhe me veprimet e ushtrisë izraelite, e cila vazhdon të mbajë nën kontroll më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës, edhe pse ka kaluar një vit nga shpallja e armëpushimit.

Një tjetër arsye e përmendur ishte anulimi i zgjedhjeve palestineze, të cilat fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në nëntor.

Sipas “ynet”, Hamasi nuk është më i gatshëm ta pranoje këtë situatë.

Media raportoi se udhëheqja politike dhe shërbimet e sigurisë të Izraelit u njoftuan menjëherë për kërcënimin.

Më 7 tetor 2023, luftëtarët e Hamasit vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe morën peng më shumë se 250 të tjerë, të cilët i dërguan në Rripin e Gazës.

Ky sulm i paprecedentë shkaktoi luftën në Gaza. Që atëherë, sipas autoritetit shëndetësor të Gazës, i cili drejtohet nga Hamasi, janë vrarë më shumë se 74 000 palestinezë.

Situata humanitare në Gaza mbetet jashtëzakonisht e rëndë. Zona të mëdha janë shkatërruar, ndërsa shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë në tenda dhe varen nga ndihmat humanitare për të siguruar nevojat bazë.

Sipas “ynet”, Hamasi paralajmëroi se një sulm i ngjashëm mund të ndodhë kudo, në territorin e Izraelit, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli ose edhe jashtë vendit.

Megjithatë, ka dyshime nëse Hamasi i ka ende kapacitetet për të organizuar një sulm të tillë, pas tre vitesh luftë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër