Haxhiu: Don Kelmend Spaqi, meshtar dhe patriot që i shërbeu njerëzimit në kohët më të vështira

Nga D. V.
245 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishrinë, 6 prill, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalë rasti në meshën kushtuar Don Kelmend Spaqi, duke e vlerësuar lart figurën dhe kontributin e tij në shërbim të njerëzimit, besimit dhe atdheut.

Në një postim, Haxhiu theksoi se vendi po i jep lamtumirën “një meshtari, por edhe një figure që në momentet më të vështira të historisë sonë u bë muri mbrojtës për jetën dhe dinjitetin njerëzor”.

Ajo vlerësoi se veprimtaria e Spaqit është dëshmi e një përkushtimi të plotë ndaj njeriut dhe vlerave themelore. “Për 33 vite meshtarie, Don Kelmendi shërbeu si udhërrëfyes në kohë paqartësie, mbështetje në kohë frike dhe zë i qëndrueshëm i së vërtetës”, ka deklaruar ajo.

Duke rikujtuar rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Haxhiu theksoi se në pranverën e vitit 1999, në Gllogjan të Pejës, Spaqi hapi dyert e kishës “Shna Ndou”, e njohur si “Kisha e Shpresës”, ku strehoi qindra qytetarë të dëbuar me dhunë.

“Më 4 prill 1999, nën kërcënimin e armës, iu kërkua të ndajë komunitetin katolik prej atij mysliman, por ai u përgjigj se këtu nuk ka as katolikë dhe as myslimanë, por vetëm civilë të pambrojtur”, thuhet në fjalën e saj.

Sipas saj, ky qëndrim ishte dëshmi e një karakteri të ndërtuar mbi vlera të forta kombëtare dhe njerëzore. “Plot guxim, Dom Kelmendi e artikuloi një të vërtetë themelore: se para se të jemi të ndryshëm, jemi njerëz dhe jemi të një vendi”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo vuri në pah edhe shembullin e bashkëjetesës ndërfetare që ai promovoi, duke përmendur rastet kur kambanat e kishës përdoreshin për të lajmëruar iftarin dhe syfyrin për besimtarët myslimanë gjatë luftës.

Haxhiu shprehu mirënjohjen institucionale për jetën dhe veprën e tij, duke shtuar se figura të tilla nderohen duke vazhduar vlerat që kanë lënë pas.

“Po e përcjellim në amshim një meshtar dhe patriot që jetën e tij e vuri në shërbim të të tjerëve”, ka përfunduar ajo, duke u shprehur ngushëllime familjes, Kishës Katolike dhe të gjithë atyre që e njohën.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër