Haxhiu: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës

Nga D V
431 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, mirëpriti gazetarë ukrainas që ndodhen në Kosovë që nga ditët e para të agresionit rus.

Haxhiu tha se për këta gazetarë, Kosova është bërë një shtëpi e përkohshme, prej nga kanë vazhduar të raportojnë dhe të punojnë për vendin e tyre.

“Si qytetarë të Kosovës e dimë mirë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur kur do të kthehesh. E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë”, u shpreh ajo.

Sipas Haxhiut, Kosova e ka dëshmuar mbështetjen për Ukrainën përmes veprimeve konkrete, përfshirë bashkimin me sanksionet ndaj Rusisë, mbështetjen për qytetarët dhe gazetarët ukrainas, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas dhe pakove të ndihmës ushtarake.

“Historia jonë nuk është historia e Ukrainës, por na ka mësuar ta njohim çmimin njerëzor të luftës”, tha Haxhiu, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e popullit ukrainas për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.

Në fund, Haxhiu uroi të gjithë ukrainasit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër