Haxhiu: Pa marrëveshje për Presidentin, vendi shkon në zgjedhje të reja

Nga Xh M
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 gusht Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për dialog politik ndërmjet subjekteve parlamentare, duke vlerësuar se vendi duhet të gjejë një zgjidhje për çështjen e Presidentit përpara se të shkojë sërish në zgjedhje. Haxhiu, përmes një postimi, ka thënë se tri procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultate të përafërta dëshmojnë se pa dialog politik nuk mund të ketë zgjidhje për situatën aktuale.

“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara”, ka shkruar ajo.

Sipas Haxhiut, çështja e Presidentit, ndonëse formalisht paraqet një hap të mëvonshëm në procesin institucional, në rrethanat aktuale duhet të jetë pika e parë nga e cila duhet nisur dialogu.

“Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se ka ftuar në takim krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare, me synimin për të arritur një konsensus politik.

Megjithatë, Haxhiu ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese”, ka shkruar ajo.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes ka thënë se qytetarët po japin vazhdimisht mesazhin e tyre përmes zgjedhjeve, ndërsa përgjegjësia për gjetjen e një zgjidhjeje u takon liderëve politikë.

“Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion”, ka theksuar Haxhiu.

Në fund, ajo ka shprehur shpresën që deri të martën të ketë reflektim nga partitë politike dhe takimi të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka përfunduar ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër