Hoxha: Diaspora shqiptare në Rumani, urë e çmuar për identitetin dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë

Nga Xh M
761 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 maj Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një mbrëmje përkujtimore të organizuar në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës, në nderim të të Lumit Vladimir Gjika, të cilin e cilësoi si simbol besimi, dinjiteti dhe qëndrese, por edhe si një urë të rëndësishme kulturore e shpirtërore mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha vlerësoi lidhjet historike dhe kulturore mes dy vendeve, duke theksuar se në Rumani mori formë një pjesë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas tij, patriotët shqiptarë në Rumani artikuluan idealet e lirisë dhe pavarësisë, botuan libra e gazeta dhe mbajtën gjallë frymën kombëtare dhe identitetin evropian të shqiptarëve.

Ministri nënvizoi gjithashtu kontributin e familjeve të mëdha shqiptare që lanë gjurmë në jetën politike, kulturore dhe shpirtërore të të dy vendeve, duke vlerësuar rolin historik të diasporës shqiptare në Rumani në ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kombëtar ndër breza.

“Kënaqësi të merrja pjesë në mbrëmjen e veçantë përkujtimore të organizuar në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës, në nderim të të Lumit Vladimir Gjika, një figurë poliedrike, por edhe shembull besimi, dinjiteti dhe qëndrese, si dhe një urë e vyer kulturore e shpirtërore mes Shqipërisë dhe Rumanisë.

Një moment i çmuar kujtese për lidhjet e thella historike, kulturore dhe njerëzore mes dy vendeve dhe popujve tanë. Pikërisht në Rumani mori formë një pjesë e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare. Atje patriotët shqiptarë artikuluan idealet e lirisë dhe të pavarësisë, botuan libra e gazeta, organizuan veprimtarinë kombëtare dhe mbajtën gjallë frymën e #Shqipërisë së lirë dhe identitetin tonë evropian.

Duke vlerësuar kontributin e veçantë të familjeve të mëdha shqiptare që lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike, kulturore dhe shpirtërore të të dy vendeve tona, ne nderojmë njëkohësisht edhe rolin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Rumani, ata që nuk i harruan kurrë rrënjët e tyre shqiptare, por përkundrazi, i ruajtën, i kultivuan dhe i përcollën me krenari brez pas brezi.

Edhe sot, roli, kontributi dhe përfshirja përmbajtësore e Diasporës sonë, “Atdheu jashtë”, siç e quajmë me të drejtë, një burim i çmuar energjie, dijesh, lidhjesh, mbeten thelbësore për zhvillimin e vendit, forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe jetësimin e së ardhmes evropiane të Shqipërisë”, shkruan Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër