Një incident diplomatik ka shoqëruar takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të G20-s, të zhvilluar në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit evropianë kanë refuzuar të marrin pjesë në fotografinë tradicionale familjare përkrah ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Takimi u zhvillua nën drejtimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ndërsa në të ishte ftuar edhe kryediplomati rus. Lavrov udhëtoi për më shumë se 20 orë nga Rusia drejt SHBA-së, duke shmangur hapësirat ajrore të vendeve që kanë vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, prania e tij shkaktoi pakënaqësi te përfaqësuesit evropianë, të cilët nuk pranuan të pozonin në të njëjtën fotografi me të.
Përballë refuzimit të disa delegacioneve, pala amerikane vendosi të anulojë fotografinë e përbashkët, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohej në një përplasje diplomatike.
Një zyrtar amerikan i tha BBC-së se fotografia u anulua pasi u bë e qartë se disa delegacione nuk ishin të gatshme të merrnin pjesë.
Sipas tij, SHBA-ja preferoi të shmangte që një ceremoni simbolike të kthehej në pengesë diplomatike dhe të ruante fokusin te diskutimet thelbësore të samitit.
Tensionet u reflektuan edhe gjatë diskutimeve mes përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse.
Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, iu drejtua drejtpërdrejt Lavrovit, duke akuzuar Rusinë për vrasjen e civilëve të pafajshëm në Ukrainë.
“Ne të gjithë e dimë se kush është agresori në këtë luftë”, ishte mesazhi që Miliband i përcolli homologut rus gjatë takimit.
Ministri i Jashtëm rus nuk e fshehu irritimin për refuzimin e evropianëve që të fotografoheshin pranë tij.
Gjatë një konference për shtyp, Lavrov komentoi me ironi qëndrimin e tyre, duke deklaruar:
“Nëse e vetmja gjë që i intereson është se si duken në fotografinë familjare dhe kush qëndron pranë tyre, atëherë kjo i thotë të gjitha”.
Incidenti në G20 vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore vijojnë të karakterizohen nga tensione të forta për shkak të luftës në Ukrainë.
