Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka deklaruar se pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës është përballur me një incident me disa prej protestuesve të mbledhur para Kuvendit.
Përmes një reagimi publik, Rexhepi e ka cilësuar rastin si të papranueshëm, duke theksuar se ai dhe familja e tij kanë dhënë kontribut në luftën e UÇK-së dhe në rrugën e Kosovës drejt lirisë, transmeton Klankosova.tv.
“Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb. Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.
Ai ka bërë të ditur se disa persona të identifikuar pas incidentit kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje. Megjithatë, Rexhepi ka thënë se kërkimfalja nuk e mbyll rastin.
Sipas tij, është identifikuar edhe personi që ai e cilëson si “urdhërdhënësin e sulmit”.
“Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar deputeti i VV-së.
Rexhepi në fund ka falënderuar qytetarët për mesazhet dhe mbështetjen pas incidentit.
