Shkup, 21 nëntor – Këshilli për Etikën e Medias dhe Instituti Maqedonas i Medias organizuan një ngjarje për të diskutuar rolin e inteligjencës artificiale në redaksi dhe sfidat që ajo paraqet për vetërregullimin në media dhe Edukimin Mediatik të publikut. Eksperti Mihailo Llahtov theksoi se industria e medias po kalon një ndryshim të thellë, me sfidën kryesore që është humbja e vendeve të punës për shkak të automatizimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm për atë se cilat janë sfidat serioze me të cilat përballemi. E para është humbja e vendeve të punës, për këtë jemi koshientë dhe secila industri e madhe dhe revolucion teknologjik – në rastin tonë, na çon drejt humbjeve masovike të vendeve të punës. Inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë njerëzit në shumë aspekte në një redaksi. Për fat të keq, ky është një realitet që kohës së fundit e hasim. Ka redaksi të tëra që funksionojnë pa asnjë gazetar, gjithashtu edhe te ne ka redaksi që funksionon me një gazetar të vetëm.”, – deklaroi eksperti i Mediumeve dhe Komunikimit, Mihailo Llahtov.
Llahtovi paralajmëroi se sfida e dytë, po aq kritike, është rritja e përmbajtjeve të rreme dhe manipuluese, të krijuara përmes teknologjive të avancuara si “deepfake” dhe materiale të tjera sintetike.
“Prej gati 10 vitesh punoj me këtë temë dhe sfida po bëhet gjithnjë e më serioze. Gjatë muajve të fundit jemi dëshmitarë të një zhvillimi të jashtëzakonshëm teknologjik, aq sa tashmë kemi fotografi dhe video që nuk mund t’i dallojmë që nuk janë të vërteta.”, – theksoi eksperti i Mediumeve dhe Komunikimit, Mihailo Llahtov.
Pjesëmarrësit në ngjarje nënvizuan nevojën për mekanizma më të fortë vetërregullimi, transparencë në përdorimin e inteligjencës artificiale në procese redaksionale dhe rritjen e aftësive të Edukimit Mediatik të publikut, si mburojë kundër manipulimit dhe dezinformimit. Ngjarja përfundoi me thirrjen që industria e medias, institucionet profesionale dhe publiku të bashkëpunojnë për të garantuar integritetin e informacionit në një epokë ku teknologjia ndryshon më shpejt se kurrë më parë.

