Interi përgatit revolucion në mbrojtje, tre emra në listën e zikaltërve

Nga D. V.
420 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sipas raportimeve të mediumit italian La Gazzetta dello Sport, Interi ka nisur punën për përforcimin e repartit defensiv gjatë afatit kalimtar veror dhe ka identifikuar tre objektiva kryesorë: Oumar Solet, Evan Ndicka dhe Jhon Lucumi.

“Neurazzurrët” pritet të bëjnë ndryshime të rëndësishme në mbrojtje, pasi largimi i veteranit Francesco Acerbi duket gjithnjë e më i mundshëm, ndërsa e ardhmja e Stefan de Vrij mbetet ende e paqartë.

Në krye të listës së dëshirave të klubit italian është mbrojtësi i Udinese, Oumar Solet.

Francezi ka impresionuar në mënyrë të jashtëzakonshme në Serie A që nga sezoni i kaluar, duke u shndërruar në një nga mbrojtësit më të spikatur të kampionatit falë forcës fizike, qetësisë me topin dhe sigurisë në duele.

Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, por Interi duket se po tenton të lëvizë shpejt për ta siguruar transferimin e tij.

Interi kishte monitoruar edhe talentin e Sassuolo, Tarik Muharemovic, por negociatat për këtë marrëveshje kanë ngecur në javët e fundit, duke bërë që drejtuesit zikaltër të fokusohen te alternativa të tjera më të sigurta.

Ndërkohë, edhe Roma mund të ndahet me Evan Ndickan gjatë verës. Mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë po shqyrton mundësinë e një aventure të re, ndërsa situata financiare e klubit romak mund të detyrojë drejtuesit të dëgjojnë ofertat.

Një tjetër emër në radarët e Interit është Jhon Lucumi. Kolumbiani ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me Bolognan dhe konsiderohet si një profil ideal për stilin e lojës së skuadrës nga Milano.

Drejtuesit e Interit synojnë të ndërtojnë një mbrojtje më të re dhe më dinamike për sezonin e ardhshëm, teksa klubi po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në organikë pas një sezoni intensiv në Itali dhe Evropë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër