Prishtinë, 26 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari komunës së Mitrovicës Faton Peci, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për realizimin e një projekti infrastrukturor në zonën e Shalës, me asfaltimin e 23.4 kilometrave rrugë.
Sipas Pecit, vlera e investimit arrin në rreth 3 milionë euro dhe projekti do të realizohet përmes bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Nënshkrova kontratën që i jep kahje zhvillimit të Shalës përmes projektit infrastrukturor të asfaltimit të rrugëve. Pasurisë natyrore kur i shtohet investimi, nuk mund t’i mungojë zhvillimi. Për Shalën, për Mitrovicën”, ka shkruar Peci në një postim në Facebook.
Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e Shalës.
