Iseni: Shqiptarët nuk janë përjashtuar nga Akademia Policore, të flasim me fakte dhe jo me propagandë

Nga D V
741 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 gusht, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me debatin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë, veçanërisht për konkursin për Akademinë Policore, e cila po rikthehet pas 26 vitesh.

Përmes një statusi në Facebook, Iseni thotë se çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është një përgjegjësi që duhet marrë seriozisht dhe se çdo proces që ndikon në këtë përfaqësim duhet të zhvillohet me transparencë dhe mbi bazën e fakteve.

“Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë”, shkruan Iseni.
Ai thekson se që nga fillimi i procesit është bërë thirrje që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë në konkursin për Akademinë Policore dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Megjithatë, sipas Isenit, interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, ndërsa një pjesë e kandidatëve që kanë aplikuar nuk janë paraqitur në fazën e testimit dhe, rrjedhimisht, janë tërhequr nga gara.
Iseni e konsideron të pandershme politikisht deklarimin se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa u bërë e qartë se sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.
“Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptar”, shprehet Iseni.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme thekson se qëndrimi i tij është për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë të shqiptarëve në çdo institucion.
Në fund të reagimit, Iseni i drejtohet edhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i bërë thirrje që të mos e përdorë këtë çështje për përfitime politike.
“BDI-së i themi: Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditore”, përfundon Iseni.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër