ISHP apel qytetarëve: Kufizoni daljet në orët e pikut, konsumoni sa më shumë ujë

Nga D. V.
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 qershor, Zhurnal.mk – Temperaturat e larta të verës paraqesin rrezik të shtuar për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot mesazhin e mjekes së Institutit të Shëndetit Publik Dr. Rudina Cumashi, e cila apelon për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke rekomanduar hidratim të vazhdueshëm, shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe qëndrim në ambiente të freskëta.

Sipas saj, gjatë stinës së verës dhe valëve të të nxehtit, temperaturat e larta mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore, duke rritur rrezikun e dehidrimit, goditjes nga i nxehti dhe komplikacionet tek personat me sëmundje kronike.

Dr. Cumashi thekson se të gjithë janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga temperaturat e larta, por grupet më vulnerabël mbeten fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë, personat që jetojnë vetëm, gratë shtatzëna dhe individët që punojnë në ambiente të hapura.

“Rekomandojmë kufizimin e daljeve gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në 18:00, qëndrimin në ambiente të freskëta dhe mbajtjen e trupit të hidratuar. Nëse është e domosdoshme të dalim jashtë, duhet të vishemi me rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, të përdorim syze dielli, kapele dhe të kemi gjithmonë me vete një shishe ujë”, këshillon ajo.

Po ashtu, rekomandohet konsumimi i rregullt i ujit për të shmangur dehidrimin, ndërsa duhet të kufizohet përdorimi i kafesë, pijeve alkoolike dhe atyre të gazuara. Mjekja Cumashi sugjeron një ushqyerje të shëndetshme, të pasur me fruta dhe perime të freskëta.

Kujdes i veçantë duhet të tregohet për fëmijët e vegjël. Sipas saj, foshnjat deri në moshën 6 muaj, që ushqehen vetëm me gji, nuk kanë nevojë për ujë shtesë, pasi qumështi i gjirit plotëson nevojat e tyre për hidratim. Ndërkohë, prindërit duhet të tregojnë kujdes me ruajtjen dhe përgatitjen e ushqimeve, pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun e prishjes së tyre dhe të helmimeve ushqimore.

Dr. Cumashi këshillon njëherësh që personat që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës apo çrregullime të shëndetit mendor të konsultohen me mjekun e familjes ose specialistin përkatës për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta.

Në rast të komplikacioneve apo emergjencave shëndetësore, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër