Izraeli vendos “mbyllje gjithëpërfshirëse” njëjavore në Bregun Perëndimor të pushtuar

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gaza, 27 shtator Zhurnal.mk – Zyrtarët izraelitë kanë vendosur të zbatojnë një “mbyllje gjithëpërfshirëse të Bregut Perëndimor të pushtuar” dhe të mbyllin pikat kufitare me këtë territor, raportoi të dielën agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, transmeton Anadolu.

Mbyllja pritet të zgjasë deri të shtunën, më 3 tetor, ndërsa autoritetet izraelite e kanë lidhur masën me festën hebraike Sukkot, e njohur edhe si Festa e Kasolleve.

Masat përfshijnë shtimin e kufizimeve ushtarake në pikat e kontrollit dhe barrierat, duke kufizuar lëvizjen e palestinezëve dhe qasjen e tyre në vendet e shenjta.

Forcat izraelite shtuan të dielën kufizimet rreth Ramallahut dhe Al-Birehut, mbyllën disa rrugë dhe hyrje dhe keqtrajtuan palestinezët, raportoi agjencia.

Ato mbyllën gjithashtu hyrjet në Turmus Aja, Abud, Nabi Salih, Atara dhe Tajbeh, ndërsa ngritën pika kontrolli në Jabrud, Ain Sinja dhe Xhaba për të kontrolluar automjetet dhe dokumentet e identitetit të palestinezëve, sipas burimeve lokale të cituara nga agjencia.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar janë intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023.

Të paktën 1.206 palestinezë, përfshirë 254 fëmijë, janë vrarë, rreth 13.350 janë plagosur dhe më shumë se 24.600 janë arrestuar gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare palestineze.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër