Juventusi nuk mund ta regjistrojë Edon Zhegrovën në listën e UEFA-s në vend të Manuel Locatellit, për shkak të rregulloreve të garave evropiane.
Këtë e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i klubit torinez, Giovanni Carnevali, gjatë mbledhjes së aksionarëve, duke sqaruar se zëvendësimi i mesfushorit italian duhet të bëhet me një futbollist që është i formuar në Itali.
“Locatelli është një lojtar i formuar në Itali dhe mund të zëvendësohet vetëm nga një lojtar i formuar në Itali. Pra, Ekhator dhe jo Zhegrova”.
Locatelli pritet të mungojë deri në muajin mars për shkak të lëndimit, ndërsa Juventusi ka shfrytëzuar mundësinë që ofron UEFA për ndryshimin e listës në rast të lëndimeve serioze.
Zhegrova nuk ishte përfshirë në listën fillestare të Juventusit për garat evropiane në fillim të sezonit. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me Jeff Ekhatorin, sulmuesin e transferuar nga Genoa gjatë verës, i cili në atë kohë ishte i lënduar.
Megjithatë, Ekhator është rikthyer në dispozicion dhe ishte pjesë e skuadrës për ndeshjen e së dielës ndaj Napolit, të cilën Juventusi e fitoi me rezultat 2-0 në Allianz Stadium.
Për këtë arsye, klubi torinez ka vendosur ta përditësojë listën e UEFA-s duke e përfshirë sulmuesin e lindur në vitin 2006, i cili do të jetë në dispozicion të trajnerit për vazhdimin e garave evropiane.
Kështu, Zhegrova mbetet jashtë listës së Juventusit për garat e UEFA-s, pavarësisht mungesës së gjatë të Locatellit.

