Kadastra lehtëson formalizimin e pronave, procedura të reja për ndërtimet pa titull

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Procesi i formalizimit të pronës për ndërtimet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim do të zhvillohet me procedura të lehtësuara, pas ndryshimeve të reja në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 827/2020.

Sipas Kadastrës Shqiptare, një nga risitë është mundësia e trajtimit të pasurive në bllok, sipas blloqeve kadastrale. Kjo mundëson kryerjen e verifikimeve në terren për disa pasuri njëkohësisht dhe synon të shkurtojë kohën e procedurave.

Po ashtu, lehtësohen edhe kostot për qytetarët. Në rastet kur procedura nis kryesisht nga ASHK-ja, për objektet me funksion banimi nuk do të aplikohet tarifa prej 3 mijë lekësh për ndërtimet pa leje dhe 10 mijë lekësh për objektet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim.

Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu rregulla më të qarta për sipërfaqet e trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim për ndërtimet e ngritura para vitit 1991, deri në 300 metra katrorë.

Sipas Kadastrës, përcaktimi i sipërfaqes do të bëhet duke marrë në konsideratë nevojat reale të ndërtimit dhe kuadrin ligjor që ka qenë në fuqi në kohën e ndërtimit.

Ndryshimet synojnë përshpejtimin e formalizimit të pronës dhe rritjen e sigurisë juridike për qytetarët. Ato hynë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

artikuj të ndërlidhura