Kanalet, varrezat dhe gropa septike si faktorë rreziku për përhapjen e mushkonjave

Nga Xh M
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht Zhurnal.mk – Janë regjistruar 43 raste të etheve të Nilit Perëndimor, prej të cilave 40 janë konfirmuar laboratorikisht, ndërsa tre janë raste të dyshuara. Ndryshe nga raportet e mëparshme të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), për herë të parë janë konfirmuar raste edhe në komunat Qendër dhe Çair.

Pas numrit të madh të raportimeve nga qytetarët për zogj të ngordhur, të cilët u raportuan në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), te një korb i ngordhur është konfirmuar virusi i Nilit Perëndimor.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në koordinim me përfaqësuesit e komunave të Shkupit, ka përditësuar masat për luftimin e mushkonjave në 34 zona me rrezik dhe 13 zona me rrezik të lartë.

“Serava është pjesë e problemit në Haraçinë dhe Butel. Kanalet në Jurumleri, Stajkovci, Singjeliqi, Gazi Babë, kanali kryesor i Ilindenit në Fushën e Shkupit, kanalet në Draçevë, Batincë dhe Studeniçan, si dhe disa pika të tjera me rrezik të lartë që më parë nuk ishin marrë parasysh. Ndër to janë edhe gropat septike”, deklaroi Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.

Varrezat gjithashtu konsiderohen faktor rreziku, për shkak të ujit të ndenjur në vazot e luleve, çezmave publike të dëmtuara dhe mbetjeve, përfshirë gomat e vjetra.

Ndërkohë, Qyteti i Shkupit po kryen hartëzimin gjeografik të zonave me rrezik të lartë, ku ka ujëra të ndenjura. Qendra e Shëndetit Publik (QShP) po përgatit planin operacional, i cili do të përcaktojë ku, kur dhe çfarë trajtimi do të kryhet.

Sa i përket krahasimit me vitet e kaluara dhe spërkatjes kundër mushkonjave, entomologia e QShP-së së Shkupit, Nikolina Sokolovska, thotë se është vërejtur ulje e numrit të mushkonjave.

“Tani duhet të hartëzohen dhe të identifikohen pikat kritike dhe ato duhet të trajtohen. Për shembull, në lagjen Draçevë, nuk ka të njëjtin numër mushkonjash në çdo pjesë. Prandaj duhet të punohet më në mënyrë më të detajuar, në mënyrë që të kemi ulje të numrit të mushkonjave”, thotë Nikolina Sokolovska, entomologe në QShP Shkup.

Të gjitha mjetet e përdorura për spërkatje janë të miratuara nga OBSH-ja, por një problem shtesë është se shumë zona periferike të Shkupit ende nuk kanë kanalizim urban.

“Një nga gjërat që mungojnë dhe që po e identifikojmë aktualisht janë tabletat me bacile për dezinfektimin e gropave septike. Ato gjenden në Greqi, e kemi identifikuar këtë zgjidhje, por nuk gjenden në Maqedoni. Po punojmë që ato të bëhen të disponueshme edhe tek ne”, shtoi ministri Klekovski.

Në Klinikën Infektive aktualisht janë të shtruar 22 pacientë me ethe të konfirmuara të Nilit Perëndimor, të cilët kanë edhe disa sëmundje shoqëruese. Pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër