Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim me përfaqësuese të Rrjetit të Grave në Shkencë, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe mbështetja e nismave që synojnë fuqizimin e grave dhe rritjen e kontributit të tyre në shoqëri.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shqyrtuan mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Tetovës dhe Rrjetit të Grave në Shkencë, me qëllim krijimin e një baze të qëndrueshme për bashkëpunim institucional dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.
Kasami theksoi rëndësinë e mbështetjes së grave në fushën e shkencës, arsimit dhe jetës publike, duke vlerësuar se përfshirja e tyre më aktive kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë.
Komuna e Tetovës, siç u theksua në takim, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e nismave që promovojnë barazinë, fuqizimin e grave, zhvillimin shkencor dhe pjesëmarrjen aktive të tyre në jetën shoqërore. Përmes bashkëpunimit me organizata dhe rrjete që kontribuojnë në zhvillim, synohet krijimi i më shumë mundësive për ide, iniciativa dhe aktivitete në të mirë të qytetarëve dhe komunitetit në përgjithësi.
