Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – Katër kompani kanë aplikuar në thirrjen e përsëritur për furnizimin me autobusë elektrikë për transportin publik në Shkup dhe për transportin publik në qytete të tjera të vendit.
Informacionin e konfirmoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski, i cili shprehu pritjen që kësaj radhe procedura të jetë e suksesshme.
Thirrja e rinovuar u mbyll të hënën, ndërsa ofertat aktualisht po shqyrtohen nga komisioni i vlerësimit, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Transportit dhe Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
Procedura u përsërit pas anulimit të tenderit paraprak për furnizimin me 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione karikimi. Sipas planit, 100 autobusë janë të dedikuar për Shkupin, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera të vendit.
Prej vitesh, Qyteti i Shkupit përballet me vështirësi serioze në transportin publik. Autobusët e vjetër dhe të amortizuar shpesh pësojnë defekte, ndërsa disa prej tyre janë përfshirë edhe nga zjarri gjatë lëvizjes.
Kjo situatë ka sjellë mungesë të autobusëve në disa linja, veçanërisht në periudha të caktuara të ditës, duke bërë që një pjesë e qytetarëve të presin me orë të tëra për të arritur në destinacionin e tyre.
