Keji i Vardarit mbulohet me plehra, shkupjanët humbin durimin

Nga Xh M
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 shtator Zhurnal.mk – Premtime për një kej të pastër dhe të rregulluar, por qytetarët vazhdojnë të ecin pranë mbeturinave. Një nga hapësirat më të frekuentuara për shëtitje dhe rekreacion në Shkup po përballet me një pamje krejtësisht ndryshe nga ajo që është premtuar.

Përgjatë Kejit të Vardarit, në disa pika janë krijuar mini-deponi me mbeturina, ndërsa mbeturina të shumta ka edhe pranë koshave, në hapësirat e gjelbra dhe madje edhe në shtigjet e destinuara për rekreacion.

Qytetarët ankohen se situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese dhe se hapësirat që duhet të shërbejnë për shëtitje dhe pushim po shndërrohen në zona të neglizhuara.

Në disa prej shtigjeve që çojnë drejt shëtitores, mbeturinat janë të shpërndara nëpër tokë, ndërsa në zonë janë parë edhe dhi dhe kuaj që lëvizin lirshëm.

Banorët thonë gjithashtu se prej ditësh ndjehet erë djegieje, aq sa, sipas tyre, e kanë të vështirë të hapin dritaret për të ajrosur banesat.

Nga Komuna e Karposhit thonë se vazhdimisht po punohet për përballimin e deponive të egra dhe hedhjes së pakujdesshme të mbeturinave.

Sipas tyre, ekipet e Sektorit të Inspektoratit dhe ekipet përgjegjëse për higjienën publike janë çdo ditë në terren, monitorojnë lokacionet kritike dhe ndërhyjnë aty ku është e nevojshme.

Komuna thotë gjithashtu se rregullisht u del në ndihmë shërbimeve komunale të Qytetit të Shkupit gjatë pastrimit të sasive më të mëdha të mbeturinave voluminoze dhe llojeve të tjera të mbetjeve.

Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, është zhvilluar edhe një aksion i përforcuar gjashtëjavor, me ekipe në pikat kryesore të qytetit. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar më shumë se 50 gjoba ndaj personave fizikë për hedhje të parregullt të mbeturinave.

Megjithatë, qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po përballet qyteti me problemin e deponive të egra.

Ata thonë se në të kaluarën deponitë ilegale ishin më të fshehura, ndërsa sot po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe në lagjet urbane.

“Më parë ishte më pastër, tani është më pis. Shpresonim se tani do të ishte më pastër, por nuk shoh ndonjë ndryshim”, thotë një qytetar.

“Prapëseprapë shoh shumë mbeturina”, shprehet një tjetër qytetar.

“Nuk e di nëse ka zgjidhje për një qytet kaq të madh me kaq shumë njerëz”, shton një tjetër banor.

Ndërkohë, Qyteti i Shkupit ka miratuar edhe një propozim-vendim për vendosjen e 30 kamerave në territorin e qytetit.

Një nga qëllimet kryesore të sistemit të kamerave do të jetë parandalimi i krijimit të deponive të egra, por edhe mbrojtja e pajisjeve publike, infrastrukturës dhe mjedisit urban nga vandalizmi, si dhe monitorimi i trafikut në Shkup.

Por deri në realizimin e këtyre masave, qytetarët vazhdojnë të përballen me një problem të dukshëm: hapësirat që duhet të jenë simbol i rekreacionit dhe pastërtisë po mbulohen nga mbeturinat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër