Prishtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Këshilli Organizativ ka njoftuar shtyrjen e marshit protestues, i cili ishte planifikuar të mbahej të premten, më 9 tetor, në Gostivar, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
Në njoftimin e tij, Këshilli Organizativ ka falënderuar qytetarët, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e treguar gjatë marshimeve të mëparshme.
Sipas Këshillit, vendimi për shtyrjen e marshit është marrë pas zhvillimeve të fundit. Megjithatë, theksohet se bëhet fjalë për një prolongim të përkohshëm dhe jo për përfundimin e angazhimit.
“Këshilli Organizativ do të analizojë me kujdes rrethanat dhe momentet e reja të krijuara, si dhe zhvillimet e mëtejshme, për të vlerësuar hapat dhe format e ardhshme të veprimit”, thuhet në njoftim.
Këshilli ka shprehur mirënjohje edhe për shoqatat e dala nga lufta, partitë politike, përfaqësuesit fetarë, studentët, profesorët, intelektualët, artistët, veprimtarët dhe organizatat e shoqërisë civile që iu bashkuan protestave.
Në fund, Këshilli Organizativ ka bërë të ditur se për çdo hap të ardhshëm opinioni publik do të njoftohet me kohë.
