Koçiu: Diella orienton qytetarët me komanda zanore në “e-Albania”, 1280 shërbime me asistencë virtuale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, zhvilloi sot një bisedë virtuale me Diellën, asistenten virtuale të platformës “e-Albania”, për të prezantuar mënyrën e re të ndërveprimit të qytetarëve me shërbimet publike online.

Gjatë bashkëbisedimit, Koçiu theksoi se synimi është thjeshtimi i përdorimit të platformës, veçanërisht për qytetarët që kanë vështirësi me teknologjinë, si pensionistët.

“Shumë nga shërbimet publike qytetarët i marrin online përmes platformës “e-Albania”. Tani kemi një sfidë tjetër, t’i bëjmë këto shërbime edhe më të thjeshta për t’u përdorur nga të gjithë, sepse jo të gjithë janë familjarë me teknologjinë. Dikush harron fjalëkalimin, një tjetër nuk di ku ta kërkojë shërbimin, një tjetër, sidomos ata të moshës së tretë, pensionistët, thjesht nuk dinë nga t’ia fillojnë”, tha ajo.

Diella shpjegoi se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të kërkojnë vetë mes shërbimeve apo të dinë paraprakisht hapat që duhet të ndjekin. Qytetarët mjafton të shprehin në gjuhën shqipe, edhe përmes zërit, shërbimin që u nevojitet dhe asistenti virtual do t’i orientojë drejt procedurës përkatëse.

Një tjetër risi është mundësia e plotësimit automatik të formularëve. Qytetarët do të mund të japin me zë informacionin e kërkuar, ndërsa formulari do të plotësohet nga sistemi.

“Nuk e mban mend username-in, fjalëkalimin apo kodin?! Mund të identifikohesh shumë më thjesht, me fytyrë ose me shenjën e gishtit. Nuk ke pse ta kërkosh vetë mes shërbimeve apo të mendosh ku duhet të klikosh. Thjesht më thua në shqip se çfarë të duhet”, tha Diella.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar pensionistëve, për të cilët 36 shërbimet më të përdorura do të jenë më të thjeshta dhe më të aksesueshme, duke shmangur hapat dhe procedurat e panevojshme.

“Kemi zgjedhur që 36 shërbimet më të përdorura nga pensionistët të jenë sa më të thjeshta dhe të aksesueshme, pa hapa të panevojshëm apo procedura shtesë. Unë i asistoj në çdo moment. Pra, qytetari nuk ka nevojë të dijë të gjitha hapat, duhet vetëm të dijë çfarë i duhet dhe të më thotë mua”, tha Diella.

Funksionalitetet e reja do të jenë të disponueshme edhe në versionin web të “e-Albania”, ku qytetarët do të udhëzohen hap pas hapi dhe do të kenë mundësi të përdorin komunikimin zanor në shqip për plotësimin e formularëve. Kjo mënyrë ndërveprimi parashikohet të shtrihet në 1280 shërbimet e platformës.

Gjatë bisedës, Koçiu bëri të ditur se versioni i ri i “e-Albania”-s është tashmë funksional. Qytetarët mund ta përdorin përmes aplikacionit në telefon, ose duke hyrë në llogarinë e tyre përmes njohjes së fytyrës.

artikuj të ndërlidhura