5
Shkup, 20 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni për Financim dhe Buxhet dhe Komisioni Juridiko-Ligjvënës sot do të mbajnë mbledhje në Kuvend, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për privatizimin dhe dhënien me qira të tokës ndërtimore në pronësi shtetërore.
Propozim-ligji do të shqyrtohet në lexim të parë, ndërsa me të propozohen ndryshime që synojnë të saktësojnë më tej kushtet, mënyrën dhe procedurën për privatizimin e tokës ndërtimore në pronësi shtetërore.
Me dispozitat e reja rregullohen çështjet që lidhen me shfrytëzuesit e tokës ndërtimore që kanë të drejtë ta privatizojnë atë, si dhe procedurat për privatizimin e tokës në të cilën janë ndërtuar objekte me pronësi të ndarë sipas njësive.
