Shkup, 20 tetor, Zhurnal.mk – Dje, Lëvizja Studentore u takua me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, për të dëgjuar zgjidhjen finale mbi provimin e jurisprudencës. Nga modeli i ri, ku nga 12 provime 10 do të zhvillohen në gjuhën shqipe, dukshëm shihet një avancim i rëndësishëm në respektimin e të drejtave gjuhësore të studentëve shqiptarë. Ky hap, megjithëse jo i plotë shënon një fitore të parë të studentëve dhe një reflektim të politikës institucionale ndaj kërkesave të tyre, shkruan Zhurnal.
Çfarë u diskutua dje në takimin Shasivari–Studentët?
Takimi i djeshëm kishte për qëllim krijimin e një dialogu të hapur dhe konstruktiv, ku ndryshimet e propozuara të shqyrtoheshin bashkë me komunitetin akademik dhe studentët. Ministri Shasivari theksoi se nuk dëshiron që zgjidhjet ligjore të miratohen pas dyerve të mbyllura, por që procesi të jetë transparent dhe i bazuar në argumente profesionale.
Ai nënvizoi se çështja e Provimit të Jurisprudencës është para së gjithash një çështje juridike dhe institucionale, ku respekti i ndërsjellë dhe dialogu konstruktiv janë të domosdoshëm. Synimi është të arrihet një model bashkëkohor, i qëndrueshëm dhe i orientuar drejt standardeve evropiane, duke marrë parasysh nevojat e studentëve që studiojnë në gjuhë të ndryshme.
Ndryshimet e propozuara synojnë të vendosin ekuilibër mes së drejtës për arsimim në gjuhën amtare dhe nevojës për një sistem gjyqësor unik e profesional. Ministri theksoi se nuk bëhet fjalë për krijimin e sistemeve paralele, por për një model të vetëm ku gjithëpërfshirja gjuhësore dhe standardet profesionale plotësojnë njëra-tjetrën.
Për të siguruar përputhshmëri me standardet evropiane, Shasivari paralajmëroi se do të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias. Ai deklaroi se Qeveria është e përkushtuar ndaj një procesi transparent, ku të gjitha palët e interesuara do të kenë mundësi të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje juridikisht të qëndrueshme.
Studentët fitues sepse ishin insistues
Studentët e kanë fituar betejën e parë. Edhe pse kërkesa e tyre mbetet që provimi të zhvillohet 100% në gjuhën shqipe, fakti që nga një pikë zero arritën të sigurojnë 10 provime në shqip është një arritje e madhe. Ky rezultat është fryt i insistimit të tyre të vazhdueshëm dhe i presionit publik që ushtruan mbi institucionet.
Megjithatë, studentët nuk e shohin këtë si fund të betejës. Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë një model të plotë në gjuhën shqipe, duke e konsideruar këtë si të drejtë ligjore dhe kushtetuese. Ky qëndrim tregon se lëvizja studentore nuk është e gatshme të bëjë kompromis për zgjidhje jo të plotë.
Pritet të shihet nëse modeli aktual do të ndryshohet më tej, apo do të mbetet si kompromis i përkohshëm. Por një gjë është e qartë studentët kanë treguar se me këmbëngulje dhe organizim mund të arrijnë rezultate konkrete, duke i detyruar politikanët të hapin sytë ndaj kërkesave të tyre.
Prandaj, takimi i djeshëm mes Shasivarit dhe studentëve shënon një moment të rëndësishëm në avancimin e të drejtave gjuhësore dhe akademike. Studentët treguan se insistimi i tyre sjell rezultate, ndërsa politikanët u detyruan të reflektojnë. Ky është një shembull se si dialogu, presioni publik dhe këmbëngulja e qytetarëve mund të prodhojnë ndryshime reale në sistemin juridik dhe arsimor të vendit. /Zhurnal.mk
