Tiranë/Beograd/Bruksel, 28 Shkurt, Zhurnal.mk – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u bënë thirrje të shtunën 27 vendeve anëtare të BE-së për atë që e quajtën “integrim të përshpejtuar” të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian pa të drejtë vetoje, pa pasur anëtarë në Komisionin Evropian (KE) dhe pa vende në Parlamentin Evropian.
Në një tekst të përbashkët të botuar sot në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), të dy udhëheqësit thanë se një opsion i tillë për anëtarësim në BE do t’u lejonte vendeve kandidate ngarajoni (Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) integrimin në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Shengen të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, shkruan zhurnal.mk.
“Kjo mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, ndërkohë që njëkohësisht do të forcojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të BE-së pa e rënduar arkitekturën e vendimmarrjes së BE-së dhe pa ndryshuar ekuilibrin e saj institucional. Kjo nuk do të nënkuptonte as të drejta vetoje, as komisionerë shtesë, anëtarë të Parlamentit Europian, as ndryshime në strukturat e votimit”, shkruatën Rama dhe Vuçiç.
Nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi është në krye të negociatave për anêtarêsim në BE. Që kur i nisi negociatat e pranimit në BE në vitin 2012, nga gjithsej 35 kapituj negociues, Podgorica ka hapur 33 për negociata dhe ka mbyllur 13 kapituj. Zyrtarët e Malit të Zi shpresojnë se vendi do të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.
Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt negociues që nga të parët në tetor 2024 dhe qeveria e saj shpreson për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
Serbia i ka nisur negociatat në vitin 2015 dhe ka hapur 18 kapituj negociues, nga të cilët 2 janë mbyllur tashmë përkohësisht.
Në dhjetor 2021, Serbia hapi një grup prej katër kapitujsh – tashmë të hapur dhe që duhet të mbyllen – në bisedimet e pranimit. Që atëherë, ajo nuk ka hapur dhe as mbyllur asnjë kapitull tjetêr në procesin e negociatave për anëtarësim në bllokun evropian. Negociatat e Serbisë kanë ngecur kryesisht për shkak të refuzimit për t’u bashkuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe mungesës së vazhdueshme të përparimit në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Kosovën, përveç reformave të pamjaftueshme.
Maqedonia e Veriut nuk ka hapur asnjë kapitull negociues deri më tani, pasi nuk po e përfshin komunitetin bullgar në Kushtetutë, një kusht i vendosur nga Bullgaria dhe i pranuar nga 26 anëtarët e tjerë të BE-së në vitin 2022 dhe nga qeveria e mêparshme. Me ardhjen e partisë konservatore VMRO-DPMNE në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2024, ndryshimet kushtetuese të nevojshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në janë bërë edhe më të vështira.
Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH) iu dha statusi i vendit kandidat për në BE në dhjetor 2022, por nuk ka hapur asnjë kapitull për shkak të përparimit të pamjaftueshëm me reformat e përcaktuara nga Brukseli.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor 2022, por kërkesa nuk po trajtohet pasi pesë vende (Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) nuk e njohin shtetësinë e saj.//Zhurnal.mk
