Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur edhe sot dyshime lidhur me dhënien e kontratave publike në Komunën e Çairit, duke pretenduar se një kompani e themeluar në korrik 2024, NUM CONSTRUCTION LTD, ka fituar tenderë në vlerë mbi 3.4 milionë euro.
Sipas BDI-së, bëhet fjalë për katër tenderë të mëdhenj, dy gjatë mandatit të Visar Ganiut dhe dy gjatë periudhës së udhëheqjes së Izet Mexhitit. Partia kërkon sqarime për lidhje të mundshme personale, politike apo biznesore dhe kërkon ndërhyrje nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike.
“Publikimi i djeshëm ngriti dyshime serioze lidhur me mënyrën se si një kompani e themeluar vetëm në korrik të vitit 2024 ka arritur të sigurojë kontrata publike në vlerë prej mbi 3.4 milionë euro nga Komuna e Çairit. Sipas dokumenteve të publikuara, bëhet fjalë për katër tenderë të mëdhenj të fituar nga kompania NUM CONSTRUCTION LTD, dy gjatë mandatit të Visar Ganiut dhe dy gjatë periudhës kur me komunën udhëhiqte Izet Mexhiti. Ajo që e bën rastin edhe më shqetësues është fakti se Adnan Sinani, i cili në opinion njihet si pjesë e rrethit më të afërt të Izet Mexhitit, lidhet drejtpërdrejt me adresën nga e cila operon kjo kompani. Pikërisht për këtë arsye, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta. Kush e rekomandoi këtë kompani? Si është e mundur që një kompani e themeluar rishtazi të fitojë brenda një periudhe të shkurtër kontrata publike me vlerë prej mbi 3.4 milionë euro? A kanë ekzistuar lidhje personale, familjare, biznesore apo politike që kanë ndikuar në këto procese? Pse e njëjta kompani ka qenë përfituese e kontratave milionëshe si gjatë mandatit të Visar Ganiut ashtu edhe gjatë periudhës së Izet Mexhitit?”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Pas këtyre akuzave, demanton Komuna e Çairit.
“Në interes të informimit të saktë dhe objektiv të opinionit publik, Komuna e Çairit sqaron se procedurat e prokurimit publik për projektet ‘Rikonstruksioni i sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal në lagjen Saat Kulla – Komuna e Çairit’, ‘Rikonstruksioni i sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal në lagjen Dizhonska – Komuna e Çairit’ dhe ‘Ndërtimi i pishinës së mbyllur sportive shkollore në SHFK ‘7 Marsi’ janë realizuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurime Publike, përmes Sistemit Elektronik të Prokurimeve Publike, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës, trajtimit të barabartë dhe sigurimit të konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë”, thuhet në reagimin e Komunës së Çairit.
“Në kuadër të procedurave të realizuara janë dorëzuar dhe vlerësuar oferta nga operatorë ekonomikë të interesuar, ndërsa Komisioni për Prokurime Publike ka kryer shqyrtim dhe vlerësim të detajuar të përmbushjes së kushteve për pjesëmarrje, kritereve për përzgjedhje dhe specifikimeve teknike të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit dhe në shpalljet publike.
Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit është konstatuar se operatorët ekonomikë të përzgjedhur kanë dorëzuar oferta që i përmbushin plotësisht kushtet dhe kriteret e parapara, si dhe kërkesat e përcaktuara në dokumentacionin e tenderit. Përveç kësaj, çmimet e ofruara janë në kuadër të mjeteve financiare të siguruara dhe të parapara sipas vendimeve për prokurim publik.
Mjetet financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në lagjet Saat Kulla dhe Dizhonska janë siguruar në bazë të marrëveshjeve për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga dotacionet kapitale të destinuara për njësitë e vetëqeverisjes lokale, të lidhura ndërmjet Komunës së Çairit dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Mjetet për realizimin e projektit për ndërtimin e pishinës së mbyllur sportive shkollore janë siguruar në përputhje me marrëveshjen për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga dotacionet kapitale për projekte infrastrukturore në fushën e arsimit, të lidhur ndërmjet Komunës së Çairit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Duke pasur parasysh se operatorët e përzgjedhur i përmbushin të gjitha kushtet ligjore, teknike dhe financiare të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit, si dhe faktin se për realizimin e projekteve janë siguruar mjete financiare nga ministritë kompetente, janë krijuar kushtet për realizimin e papenguar të këtyre projekteve, të cilat janë të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe avancimin e kushteve për arsim dhe sport në territorin e Komunës së Çairit.
Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurime Publike, organi kontraktues nuk ka bazë ligjore që kohën e themelimit të operatorit ekonomik ta marrë si faktor në vlerësimin e aftësisë së tij për pjesëmarrje në procedurën e prokurimit publik. Gjithashtu, organi kontraktues nuk guxon të përcaktojë kushte apo kritere që do të kufizonin pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në bazë të periudhës së ekzistencës së tyre, përkatësisht të kërkojë që ata të jenë të regjistruar ose të ushtrojnë veprimtari për një numër të caktuar vitesh para shpalljes së procedurës. Megjithatë, theksojmë se kompania e përzgjedhur, sipas dokumentacionit të paraqitur, është themeluar disa vite para se të zgjidhej si realizuese e projekteve konkrete.
Kushte të tilla do të ishin në kundërshtim me parimet themelore të Ligjit për Prokurime Publike, veçanërisht me parimet e trajtimit të barabartë, mosdiskriminimit dhe sigurimit të konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë. Aftësia e operatorit ekonomik vlerësohet në bazë të përmbushjes së kushteve të përcaktuara me ligj, aftësisë teknike dhe profesionale, gjendjes financiare dhe kritereve të tjera të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit, e jo në bazë të datës së themelimit apo kohëzgjatjes së veprimtarisë së tij.
Komuna e Çairit po realizon rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe kanalizimit atmosferik në lagjen Saat Kulla, në rrugët: Remzi Hoxha (rruga Çairska), Petre Georgiev, Mimar Sinan (rr. 372), Vasil Axhallarski, rruga 157, rruga 397, Kongresi i Manastirit (rr. 374) dhe Otokar Kershovani.
Gjithashtu, Komuna e Çairit po realizon rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe kanalizimit atmosferik në lagjen Dizhonska, në rrugët: 22 Nëntori (rruga Dizhonska), Gjorgji Tomovski, Elena Gjika (rruga Josif Shturna), Imri Elezi (rruga Bozhin Stijov), Luigj Gurakuqi (rruga Ljube Stoilkoviq), Halim Halimiq, Vëllezërit Rexhepagiq, Ferid Zajri dhe Kemal Sejfulla”, thuhet në kumtesën e Komunës së Çairit.
