Shkup, 2 prill, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit organizoi sot një panel të hapur me profesionistë, prindër dhe përfaqësues institucionalë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin, duke theksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes dhe pranimit të fëmijëve me autizëm.
Nga komuna theksohet se kjo ditë e rëndësishme, që shënon Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin, u shndërrua në një platformë të hapur me theks te veçant për sfidat dhe rrugën që duhet të ndjekim si shoqëri. Panelistët sollën perspektiva të ndryshme, por me një qëllim të përbashkët: gjithëpërfshirjen dhe pranimin e plotë.
Përfaqësuesi institucional, Ariton Rama, dha një mesazh të qartë mbi përgjegjësinë tonë kolektive, duke theksuar se integrimi në sistemet shtetërore dhe socializimi i këtyre fëmijëve është një detyrim ligjor dhe moral i institucioneve. Ai u shpreh se institucioneve tona u duhet “ngjyra e kaltër” – u duhen njerëz të jashtëzakonshëm që kryejnë punë të jashtëzakonshme për të garantuar barazi.
Një moment emocional i panelit ishte dëshmia e sinqertë e prindit Afrim Bajrami, i cili foli për djalin e tij, Anuarin. Ai rikujtoi se në një botë ku të gjithë jemi ndryshe, e tërë shoqëria mund të konsiderohet me nevoja të veçanta. Për të, Anuari është një bekim dhe një dhuratë e çmuar, jo një sfidë, duke bërë thirrje për më shumë dashuri e më pak paragjykime.
Nga ana profesionale, Zemrijet Bela, si përfaqësuese e shoqatave, elaboroi rolin jetik që luajnë organizatat si mbështetja kryesore e prindërve, duke i udhëhequr ata drejt rrugëve të duhura të arsimimit. Ajo ndau edhe faktin se rreth 90% e rasteve të prekura janë djem, gjë që kërkon një vëmendje dhe qasje të dedikuar.
Ndërkaq, psikologu Arben Kadriu solli një frymë reflektimi mbi rëndësinë e empatisë, duke sugjeruar që ta shohim këtë realitet edhe përmes artit, konkretisht përmes filmit “My Name is Khan”, si një model i fuqishëm i pranimit shoqëror.
Në emër të Komunës së Çairit, Kryetari i Këshillit Komunal, Muhamed Murtezi, rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të institucionit për të ndërtuar politika që garantojnë barazi reale dhe gjithëpërfshirje për çdo fëmijë, pa asnjë përjashtim.
