Shkup, 5 tetor Zhurnal.mk – Mungesa e informimit, pasiguria dhe cenueshmëria e pacientëve, si dhe kultura e rrënjosur e gjetjes së “lidhjeve” dhe dhënies së ryshfetit, po e ushqejnë korrupsionin në shëndetësinë publike.
Për këtë arsye, nevojiten masa gjithëpërfshirëse që do të përfshijnë pacientët, punonjësit shëndetësorë dhe institucionet kompetente, me qëllim uljen e praktikave korruptive.
Këto janë përfundimet kryesore nga tribunat publike me temën “Korrupsioni në shëndetësi – të flasim hapur”, të organizuara nga organizata ESSE.
Darko Antiç – ESSE: “Ajo që theksojnë si punonjësit shëndetësorë, ashtu edhe qytetarët, është transparenca – që të gjitha çmimet dhe të gjitha shërbimet e mbuluara nga FSSH-ja të jenë të përcaktuara qartë te specialistët, te gjinekologët amë, në shtëpitë e shëndetit etj. Por nevojitet transparencë edhe sa u përket listave të pritjes, në mënyrë që të mos ketë mundësi potenciale për keqpërdorim.”
Hulumtimet e ESSE-së kanë treguar se korrupsioni më së shpeshti kërkohet ose ofrohet për të siguruar një termin më të shpejtë për kontroll te specialisti apo për një shërbim të caktuar mjekësor, për të pasur qasje te një mjek konkret, si dhe për të siguruar një shtrat spitalor ose një operacion pa pritur me muaj të tërë.
Megjithatë, raste të tilla rrallëherë denoncohen.
Darko Antiç – ESSE: “Problemi më i madh është mosbesimi ndaj sistemit, pra bindja se pas denoncimit të një rasti të caktuar korrupsioni, dikush do të veprojë në mënyrë adekuate. Aspekti tjetër është mungesa e informacionit, si te punonjësit shëndetësorë, ashtu edhe te qytetarët, si dhe mungesa e rregullave, procedurave dhe mekanizmave të qarta që duhet të ndiqen.”
Ministria e Shëndetësisë një vit më parë promovoi një mjet digjital për denoncimin e rasteve të tilla, por që nga promovimi e deri më sot nuk ka asnjë informacion se nëse janë denoncuar raste të parregullsive, sa raste janë denoncuar dhe çfarë masash ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë.
